Ambasadori shqiptar në Ukrainë Ernal Filo ka deklaruar se nuk është momenti për të thirrur Nenin 4, pavarësisht zhvillimeve të fundit të sigurisë në Ukrainë. Sipas tij, sulmet ndaj ndërtesave diplomatike kanë ndodhur edhe më herët dhe janë pasoja të situatës së luftës, të cilat vendet e përfaqësuara i kanë menaxhuar me reagim të përbashkët.
Ambasadori theksoi se aktualisht vendet partnere, përfshirë Bashkimin Europian, kanë vlerësuar masat e marra dhe se ambasadat ndërkombëtare do të vijojnë të qëndrojnë në Kiev, pavarësisht rreziqeve ekzistuese dhe paralajmërimit të Rusisë për goditje të vazhdueshme ndaj Kievit.
“Nuk është rasti për të thirrur nenin 4. Edhe më parë, gjatë sulmeve, ambasada e Azerbajxhanit është goditur 3 herë. Në 2024, kur ne sapo morëm ambientet, u godit godina ku është ambasada jonë dhe pati pak a shumë të njëjtat dëme. Aty reaguan të gjitha shtetet që kanë përfaqësinë e tyre në atë godinë.
Jemi në luftë dhe këto janë pasoja normale që edhe i presim. E përshëndes hapin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Për momentin ky është hapi i duhur, ky veprim është përshëndetur edhe nga delegacioni i BE-së. Unë kam marrë përkrahje nga kolegët e mi në të gjitha shtetet.
Sot ka pasur një lajm ku thuhej se Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë do kishte sulme ndaj Kievit dhe i ka bërë thirrje qytetarëve të huaj të largohen nga vendi. Para se të nisja intervistën, lexova që Lavrov ka telefonuar Rubio dhe i ka thënë që ambasada amerikane të marrë masa për t’u larguar.
Kam dërguar informacion në ministri, ku i kam vënë në dijeni dhe kemi rënë dakord se çfarë përgjegjësish do marrin vendet e tjera dhe të gjitha kanë thënë se do qëndrojnë, dhe ne do qëndrojmë. Unë do mundohem të flas me ministrinë dhe ne do qëndrojmë.”


