Nga pastrimi i shtëpisë e deri te gjeli i detit, këto janë traditat e shqiptarëve për Vitin e Ri

schedule14:33 - 31 Dhjetor, 2022

schedule 14:33 - 31 Dhjetor, 2022

Darka e 31 dhjetorit është festë në gjithë botën. Të gjithë festojnë ardhjen e një viti të ri, i cili pritet me fishekzjarrë, festë dhe puthje në mesnatë, që është traditë në shumë vende të botës. Por çfarë e dallon Shqipërinë nga vendet e tjera? Shqiptarët kanë disa tradita, që i dallojnë nga të tjerët.

1.Pastrimi i shtëpisë me themel

Pak ditë para Vitit të Ri shqiptarët u futen punëve me rrënjë duke pastruar gjithçka, duke filluar nga perdet, tapeti e deri te kolltukët. Edhe nëse diçka është e pastër, do pastrohet sërish.Këto njihen si “punët e Vitit të Ri” dhe bëhen që viti që vjen ta gjejë shtëpinë të pastër dhe të rregullt.

2.Tryeza mbushet plot me ushqime dhe s’duhet të mungojë gjeli i detit

 

Në familjet shqiptare, atë natë është shumë e rëndësishme që tavolina të jetë plot. Nuk duhet të mungojnë llojet e ndryshme të ushqimeve, ëmbëlsirave, pijeve dhe shumë, po shumë mish. Viti i Ri duhet ta gjejë tavolinën të mbushur plot. Ah, kurrsesi mos harroni gjelin e detit, përsheshin dhe sallatën ruse. Pa to, Viti i Ri nuk ka kuptim.

3.Dollitë e vazhdueshme

 

Nata e Vitit të Ri është nata e dollive. Fjala “gëzuar” dëgjohet më shpesh se çdo fjalë tjetër.

4.Byreku me lek

 

Një tjetër traditë shqiptare është gatimi i byrekut me një lek brenda. Kujt i bie leku është personi që do ketë më shumë fat në vitin që vjen.

5.Ëmbësira karakteristike, bakllavaja

 

Ëmbëlsira tipike e Vitit të Ri është pa dyshim bakllavaja dhe nuk ka as kadaif e asnjë lloj ëmbëlsire tjetër që mund t’ia marrë vendin.

6.Mesazhet e urimit

Në datën 31 gjatë gjithë ditës, por më shumë në darkë, nuk mungojnë kurrë mesazhet e urimit. Madje, më para ishin aq të përhapur, saqë linjat telefonike bllokoheshin dhe mesazhi mund të vijë të nesërmen.

7.Kush do të hyjë i pari në shtëpi në mëngjesin e 1 janarit?

Është e rëndësishme që në shtëpi i pari të hyjë një fëmijë i vogël, mundësisht djalë. Po ashtu, ai që hyn i pari duhet të hyjë me këmbën e djathtë për të sjellë sa më shumë mbarësi./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!