Ilir Beqaj do vijojë qëndrimin në qeli për një afat të pacaktuar. Gjykata e Posaccme këtë të hënë rrëzoi kërkesën e radhës të ish zyrtarit të lartë për zëvëndësim të masës së sigurisë arrest në burg me një masë më të butë, në këmbim të garancisë pasurore në vlerë 20 milionë lekë të vjetra.
Gjyqtarja e hetimit paraprak Elsa Ulliri nuk mori parasysh argumentat e paraqitura nga mbrojtësit ligjorë të Ilir Beqaj, të cilët kërkuan lehtësim të masës së tij, duke i bashkëngjitur kërkesës edhe vendimin e kolegjeve të bashkuara të gjykatës së lartë për ndryshimin e praktikës unifikuese për paraburgimet.
Kjo është e disata herë që shkalla e parë e gjyqësorit rrëzon kërkesën e Beqajt për tu liruar nga qelia, aty ku mbahet prej korrikut të vitit 2024 si person i dyshuar nga SPAK për abuzim me fondet e Bashkimit Evropian në SASPAC, në kohën kur kjo agjenci drejtohej prej tij.
Dosja Saspac prej gati një viti ndodhet në fazë paraprake, teksa në paraburgim për këtë çështje ndodhet edhe bashkëpunëtori i Beqajt Ermal Kurtualaj.
Ish-kreu i menaxhimit të fondeve të BE njëherësh ish-ministër i Shëndetësisë, Ilir Beqaj akuzohet për 5 vepra penale mes të cilave korrupsion pasiv, shkelje e barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh, mashtrim, mashtrim në bashkëpunim dhe mosdeklarim pasurie./abcnews.al


