Çfarë ndodhi me thesaret e lashta të Durrësit? Kush i mori? Dhe pse, më shumë se një shekull më vonë, askush nuk flet seriozisht për kthimin e tyre?
Këto janë pyetjet që studiuesi Auron Tare i rikthen me forcë në vëmendje, duke “i rënë kambanave” për një plagë të vjetër të trashëgimisë shqiptare: grabitjen e artefakteve arkeologjike të Durrësit gjatë pushtimit serb të vitit 1912–1913 dhe ekspozimin e tyre sot në Beograd.
Sipas dokumenteve arkivore që ka gjurmuar, historia nis në një nga periudhat më dramatike të qytetit antik. Më 29 nëntor 1912, ushtria serbe hyn në Durrës, ngre flamurin serb dhe vendos administratën ushtarake e civile në qytet. Por përveç pushtimit, nis edhe një tjetër operacion – ai për “gjuetinë” e thesareve arkeologjike.
Me urdhër të ardhur nga Beogradi, ushtria serbe fillon gërmime në qytetin antik të Durrësit. Dokumentet e ruajtura në arkivin e Muzeut të Beogradit, të referuara edhe nga studiues si Skënder Latifi, flasin për një operacion të organizuar mirë: 27 arka me objekte arkeologjike u ngarkuan në anijen greke “Trifilia” më 26 shkurt 1913 dhe u nisën drejt Serbisë.
Në listën e artefakteve të marra figuronin stela funerare me mbishkrime latine, relieve gladiatorësh romakë, amfora, pllaka mermeri me nimfa, kapitele, fragmente me mbishkrime greke dhe objekte funerare e dekorative me vlerë të jashtëzakonshme historike. Më tronditësja? Dokumentet serbe i cilësonin këto si “dhuratë” për Serbinë.
Në qendër të debatit është edhe Stela e famshme e Durrësit, një monument funerare me epitaf latin, i përmendur për herë të parë nga humanisti Ciriaco d’Ancona në vitin 1435. Për më shumë se 1500 vjet ajo kishte qëndruar pranë portës lindore të kalasë së Durrësit, derisa u zhduk pa gjurmë dhe sot figuron si “e humbur” në katalogët ndërkombëtarë, përfshirë Universitetin e Heidelberg-ut.
Por Auron Tare nuk ndalet vetëm te denoncimi. Ai kërkon një strategji shtetërore konkrete për rikthimin e trashëgimisë së grabitur, duke përdorur instrumentet ligjore ndërkombëtare dhe konventat e UNESCO-s. Vetë ka nisur përpjekje personale: letra drejtuar Muzeut të Popullit në Beograd për identifikimin e koleksionit të Durrësit, si dhe kërkesa për autoritetet greke lidhur me një statujë të rrallë të marrë nga Durrësi e përfunduar në Athinë.
Dhe precedentët ekzistojnë. Shqipëria ka arritur të rikthejë artefakte të rëndësishme, si busti i perandoreshës Livia Drusilla në Butrint apo statuja antike të sjella nga Greqia e Italia. Pra, pyetja që ngre studiuesi është e thjeshtë: nëse u kthyen disa, pse të mos rikthehen edhe thesaret e Durrësit?
Por shqetësimi i Tares shkon përtej muzeve. Ai flet edhe për një Shqipëri që po humbet kujtesën e vet. Nga “barinjtë e UNESCO-s”, tradita mijëravjeçare e shtegtimit të tufave që po shuhet në heshtje, deri te krojet e harruara të Jugut, dikur stacione qytetërimi ku udhëtarët pushonin, shkëmbenin lajme dhe gjenin mikpritje.
“Sapo mbaruan fotografitë dhe postimet në rrjetet sociale, Shqipëria i harroi barinjtë”, thotë ai me keqardhje, ndërsa paralajmëron se një vend që nuk ruan historinë dhe natyrën e vet, rrezikon të humbasë identitetin.
Mes thesareve të grabitura, krojeve të tharë dhe traditave të braktisura, alarmi i Auron Tares tingëllon i qartë: “Kemi filluar të ndërtojmë rrugë, por kemi humbur udhën.”


