Një emër që la gjurmë në muzikën shqiptare të viteve ’90, një artist që e nisi me kitarë në dorë dhe që sot mbetet zëri i mallit, atdhedashurisë dhe kujtesës shqiptare. Në studion e ABC-së së Mëngjesit, këngëtari Haxhi Dauti vjen me një rrëfim të rrallë për jetën, muzikën, emigrimin dhe sfidat që e kanë shoqëruar ndër vite.
I lindur në Strugë në vitin 1960, Haxhi Dauti rrëfen se muzika ka hyrë herët në jetën e tij, mes rrugëve të qytetit buzë liqenit dhe një familjeje ku arti dhe kënga kishin vend të veçantë. “Struga për mua nuk është vetëm vendlindje, është frymëzim. Çdo tingull i asaj kohe jeton ende brenda meje”, shprehet ai me emocion.
Hapat e parë në muzikë i hodhi bashkë me mikun e tij të rinisë, Bashkim Zendeli, me të cilin krijoi grupin e rokut “Rock Café”, duke performuar në shkolla, festivale lokale dhe aktivitete rinore në Strugë e Ohër. Ishte koha kur muzika rock dhe pop po hynte fuqishëm, ndërsa arti kërkonte pasion dhe sakrificë.
Në fund të viteve ’70, artisti largohet drejt SHBA-së, ku ndërtoi jetën e re, por pa u shkëputur asnjëherë nga rrënjët. Sot, ai gëzon një familje të madhe me tre vajza, dy djem, nipër e mbesa, ndërsa zemra i mbetet gjithmonë tek Struga dhe Shqipëria.
Haxhi Dauti është bërë i njohur për publikun shqiptar përmes pjesëmarrjeve në Festivalin e RTSH-së, ku edhe është vlerësuar me çmime. Këngët “Larg u largova” dhe sidomos “E njëjta mbetet Itaka” mbeten ndër më të dashurat për publikun, duke sjellë emocione të forta për emigrimin dhe mallin për vendlindjen.
“Kur largohesh nga vendi yt, zemra mbetet gjithmonë atje”, thotë artisti, duke shtuar se emigrimi e ka bërë të shkruajë me më shumë ndjenjë. Për të, çdo këngë është një copëz kujtimesh, dashurie dhe nostalgjie për Strugën dhe trojet shqiptare.
Përveç muzikës, Dauti ka qenë i angazhuar edhe në çështjen kombëtare. Ai rrëfen se është tërhequr nga jeta aktive politike për të themeluar dhe drejtuar Këshillin Shqiptaro-Amerikan, duke kontribuar për diasporën, familjet në nevojë dhe çështjen shqiptare në SHBA.
“Patriotizmi nuk është vetëm fjalë, por vepra”, shprehet ai, duke theksuar se artisti duhet të jetë pranë popullit të tij. Sipas Haxhi Dautit, muzika duhet të ruajë shpirtin dhe identitetin shqiptar, ndërsa artistët e rinj nuk duhet të harrojnë rrënjët.
“Publiku ka nevojë për muzikë që prek zemrën, jo vetëm ritëm. Nëse këndon me shpirt, publiku e ndjen”, përfundon këngëtari që prej dekadash vazhdon të mbetet një urë mes Amerikës dhe vendlindjes./abcnews.al



