Sondazh

Kush po e provokon tensionin në Shkup:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Lanë SHBA për të bërë histori në Shqipëri/ Çifti shkodran trondit sportin shqiptar, futën Pogradecin mes 100 ekipve më të mira në botë

schedule13:16 - 21 Maj, 2026

schedule 13:16 - 21 Maj, 2026

Nga Amerika drejt brigjeve të liqenit të Pogradecit, me një mision që shumëkush e quante të pamundur. Ata lanë komoditetin, biznesin dhe jetën e ndërtuar prej dekadash në SHBA për t’iu rikthyer pasionit të madh: volejbollit. Sot, emrat e Besnik dhe Valbona Lisha janë sinonim i një revolucioni sportiv që ka futur Pogradecin në histori.

Një çift legjendar i volejbollit shqiptar, që dikur shkëlqente në parket si sportistë elitarë, vendosi të rikthehet në Shqipëri jo për nostalgji, por për një mision të qartë: të ndërtojë diçka që mbetet. Dhe ia dolën në mënyrën më spektakolare.

Në vetëm dy sezone, skuadra e vajzave të Pogradecit u shndërrua nga një ekip pretendent në një “makineri” fituese. Liga “Gjergj Kastrioti”, Kupa e Shqipërisë dhe kurora e madhe e Superligës – një tripletë historike, e fituar me dominim pothuajse absolut dhe pa lënë hapësirë për rivalët. Në finalen dramatike ndaj Tiranës, Pogradeci triumfoi 3-0 në ndeshjen vendimtare, duke fituar për herë të parë titullin kampion në historinë e klubit.



Por kjo nuk është e gjitha. Suksesi i vajzave liqenore kaloi kufijtë e Shqipërisë. Sipas renditjes prestigjioze të “Volleybox”, Pogradeci renditet mes 100 skuadrave më të mira të botës, në vendin e 98-të nga afro 9 mijë klube të listuara globalisht, duke lënë pas emra të mëdhenj europianë si AEK i Athinës, PAOK-u i Selanikut apo Bergamo Volley. Një arritje që deri dje do të dukej si fantashkencë për volejbollin shqiptar.

Pas këtij suksesi qëndron filozofia e familjes Lisha: disiplinë, kulturë pune dhe frymë fituese. Besnik Lisha, arkitekti i skuadrës kampione, e quan grupin “çelësin e suksesit”, ndërsa nuk harron të vlerësojë rolin e bashkëshortes së tij, Valbonës. “Pa mbështetjen e saj, gjithçka do të kishte qenë më e vështirë”, pranon ai.

Nga ana tjetër, Valbona Quku Lisha solli një qasje tjetër në stërvitje – mentalitet, edukim sportiv dhe përgjegjësi. Për të, sporti nuk është vetëm talent, por karakter dhe kulturë pune. “Kemi tentuar të sjellim një frymë tjetër dhe rezultatet flasin vetë”, shprehet ajo.

Historia e tyre duket si skenar filmi. Rënia e komunizmit i gjeti në kulmin e karrierës sportive. Më pas arratia me anije drejt Italisë si emigrantë dhe zhvendosja në SHBA, ku ndërtuan jetën dhe biznesin e tyre. Kur gjithçka dukej e konsoliduar, morën një vendim që habiti edhe familjarët: t’ua linin biznesin dy fëmijëve dhe të riktheheshin në Shqipëri për “fëmijën e tretë” – volejbollin.

Fillimisht ëndrra për të ringritur Vllazninë nuk shkoi siç kishin menduar. Edhe eksperiencat te Skënderbeu sollën pengesa. Por çifti Lisha nuk u dorëzua. Një ofertë e papritur nga Pogradeci do të ndryshonte gjithçka. Në kushte jo gjithmonë ideale, ata vendosën të besonin te projekti dhe ta ndërtonin suksesin nga e para. Bashkia u habit nga kërkesat e tyre, por rezultati ishte historik.

Pas triumfit fshihet edhe trashëgimia sportive e familjes. Besniku, një emër ikonë i Vllaznisë, fitoi tre Kupa Republike dhe jetoi vitet e arta të volejbollit shkodran, ndërsa Valbona ishte një pasuese elegante dhe protagoniste e ekipit kuqeblu. Sot, trashëgimia vazhdon edhe përmes djalit të tyre, Gerti Lisha, i cili ka studiuar dhe luajtur në nivele të larta në SHBA, madje ka përfaqësuar edhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!