Departamenti Meteorologjik i Indisë ka paralajmëruar për rrezikun e një vale të nxehti “ekstreme”, e cila pritet të përkeqësohet edhe më tej nga fenomeni klimatik El Niño.
Në deklaratën e publikuar të martën, autoritetet meteorologjike theksuan se valët e të nxehtit në India po bëhen më të gjata, më intensive dhe më të shpeshta.
Meteorologët u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat veriperëndimore dhe qendrore të vendit më të populluar në botë.
“Merrni masa paraprake duke qëndruar të hidratuar dhe të freskët”, thuhet në mesazhet ndërgjegjësuese të publikuara në rrjetet sociale nga ekspertët.
Sipas të dhënave të Departamenti Meteorologjik i Indisë, temperatura më e lartë e regjistruar të hënën arriti në 48.2 gradë Celsius në Banda, rreth 450 kilometra në verilindje të New Delhi.
/abcnews.al/


