U nisën me ëndrra, sakrifica dhe orë të pafundme stërvitjeje, por u kthyen me duart plot dhe zemrën edhe më plot krenari. Dy talente shqiptare të kërcimit, Avi Buzi dhe Xheniola Koka, kanë ngritur flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke fituar vendin e parë dhe të dytë në kampionatin prestigjioz “Dancing Days 2026” në Serbi.
Në një garë me nivel jashtëzakonisht të lartë dhe konkurrencë të fortë nga shumë vende, vajzat shqiptare arritën të spikasin me talentin, disiplinën dhe shpirtin luftarak, duke kthyer çdo sakrificë në fitore. Pas suksesit emocionues, koreografi i njohur Andi Murra nuk e fsheh krenarinë për ekipin e tij.
“Sot zemra ime është plot emocion dhe krenari, sepse çdo orë prove, çdo lodhje dhe çdo lot janë shpërblyer. Kjo nuk është vetëm një kupë, por prova që puna dhe besimi të çojnë gjithmonë drejt suksesit”, shprehet Murra.
Në studion e ABC-së së Mëngjesit, koreografi i njohur rrëfen edhe rrugëtimin e tij të vështirë drejt suksesit, duke treguar se gjithçka e ka nisur nga zero. “Fillimet kanë qenë pjesa më e vështirë e jetës sime artistike. Kam sakrifikuar shumë, kam kaluar periudha të vështira dhe kam luftuar për të gjetur vendin tim”, thotë ai.
Sot, Andi Murra njihet si koreografi i shumë artistëve VIP, por ai këmbëngul se fama nuk ka qenë kurrë qëllimi kryesor. Për të, çelësi i suksesit mbetet puna, disiplina dhe profesionalizmi. “Nuk ka sekret magjik. Ka vetëm punë, respekt dhe besim tek vetja”, shprehet koreografi.
Ai tregon se në punën e tij është tepër kërkues dhe nuk pranon mungesë serioziteti, ndërsa bashkëpunimin e konsideron themelin e çdo rezultati të suksesshëm artistik. “Kur ka respekt reciprok dhe besim, gjithçka funksionon natyrshëm”, thekson Murra.
Nga një grup i vogël me vetëm tre persona në fillime, sot Andi Murra numëron dhjetëra projekte, bashkëpunime dhe skena të mëdha, ndërsa vijon të investojë tek talentet e reja shqiptare. Suksesi i Avi Buzit dhe Xheniola Kokës duket se është vetëm një tjetër provë se arti shqiptar po fiton gjithnjë e më shumë terren edhe përtej kufijve./abcnews.al


