Turizmi në Shqipëri vijoi rritjen edhe gjatë muajit mars të këtij viti, me një shtim të ndjeshëm të numrit të vizitorëve që u akomoduan në strukturat turistike në vend.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, numri i vizitorëve gjithsej u rrit me 20,8% krahasuar me marsin e vitit 2025, ndërsa vizitorët e huaj shënuan rritje edhe më të lartë, me 23,7%. Vizitorët rezidentë u rritën me 15,9%.
Italianët rezultojnë të jenë grupi më i madh i turistëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë gjatë marsit, duke përbërë 30% të totalit të vizitorëve jorezidentë të akomoduar në struktura turistike.
Pas Italisë renditet Kosova me 12% të totalit, ndërsa Gjermania zë 7%. Vizitorët nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca përbëjnë përkatësisht 6% dhe 5% të totalit të turistëve të huaj.
Të dhënat tregojnë se interesi i turistëve të huaj është rritur sidomos në veri të vendit.
Në rajonin e Veriut, numri i vizitorëve jorezidentë shkoi 30.986, nga 13.516 që ishte në mars të vitit të kaluar, duke shënuar më shumë se dyfishim të fluksit turistik.
Rritje të ndjeshme pati edhe në zonat bregdetare, ku numri i vizitorëve të huaj arriti 45.946, nga 31.691 një vit më parë, duke konfirmuar zgjerimin e sezonit turistik përtej muajve tradicionalë të verës.
Edhe netëqëndrimet në strukturat akomoduese vijuan trendin pozitiv. Gjatë marsit, netëqëndrimet gjithsej u rritën me 12,8%, ku ato të vizitorëve jorezidentë u zgjeruan me 14,4%.


