Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur shpërthimin e ri të virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos si një emergjencë shëndetësore me shqetësim ndërkombëtar, për shkak të rrezikut të përhapjes në rajon dhe numrit në rritje të viktimave.
Sipas të dhënave të publikuara nga OBSH, deri tani janë raportuar rreth 246 raste të dyshuara dhe 80 viktima në provincën lindore Ituri. Megjithatë, organizata theksoi se situata ende nuk konsiderohet pandemi globale.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se ka ende pasiguri të mëdha lidhur me numrin real të të infektuarve dhe shtrirjen gjeografike të virusit.
Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar se shpërthimi aktual lidhet me virusin Bundibugyo, një variant i Ebolës për të cilin nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime të miratuara.
Deri tani janë konfirmuar tetë raste laboratorike, ndërsa raste të tjera të dyshuara janë regjistruar në Bunia, kryeqyteti i provincës Ituri, si dhe në qytetet minerare Mongwalu dhe Rwampara.
Shqetësimi është shtuar edhe më shumë pasi virusi është përhapur përtej kufijve të Republikës Demokratike të Kongos. Dy raste të konfirmuara janë raportuar në Uganda, ku një burrë 59-vjeçar humbi jetën pasi rezultoi pozitiv me virusin.
OBSH paralajmëron se vendet fqinje janë në rrezik të lartë për shkak të lëvizjeve të popullsisë, tregtisë dhe udhëtimeve ndërkufitare.
Agjencia u ka kërkuar autoriteteve në Kongo dhe Ugandë të krijojnë qendra emergjente për monitorimin dhe gjurmimin e rasteve, si dhe të forcojnë masat parandaluese për të frenuar përhapjen e virusit.
Sipas ekspertëve, Ebola përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të personave të infektuar dhe shkakton simptoma të rënda si temperaturë, të vjella, gjakderdhje dhe dështim organesh.


