Nisja e sezonit veror ka vënë në lëvizje operatorët turistikë për plotësimin e strukturave me staf. Mungesa e fuqisë punëtore vendase vijon të mbetet një nga sfidat kryesore për sektorin e turizmit, duke bërë që bizneset të orientohen drejt punësimit të të huajve për të mbuluar vendet vakante.
Operatorët turistikë po bashkëpunojnë me agjenci të ndryshme rekrutimi për të siguruar punonjës nga vendet e huaja; megjithatë, problem mbetet kualifikimi i tyre dhe përshtatja me ritmin e punës në sektorin e hoteleri-turizmit.
Pavarësisht vështirësive me burimet njerëzore, Xhepa parashikon një sezon turistik të suksesshëm, nisur nga rezervimet e larta të kryera deri tani nga turistët vendas dhe të huaj.
Prej javësh tashmë, qyteti i Durrësit ka hyrë zyrtarisht në atmosferën e sezonit turistik. Rrugët e qytetit bregdetar janë të mbushura me turistë të huaj, të cilët, në këtë periudhë të vitit, tregojnë interes të veçantë për historinë, arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore të qytetit antik.


