Në një lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, studiuesja e filozofisë dhe astrologjisë vedike Afërdita Zaja foli për një fenomen të rrallë që po tërheq vëmendjen këtë maj: dy Hëna të plota brenda të njëjtit muaj.
Fenomeni i dytë njihet si Hëna Blu. Në aspektin shkencor, nuk ka asgjë misterioze – është thjesht një përputhje kalendarike, pasi cikli hënor zgjat rreth 29.5 ditë, ndërsa muajt 30–31 ditë. Por në kulturë dhe astrologji, kuptimi shkon shumë më thellë.
“Hëna Blu shihet si një kulm emocional. Është momenti kur gjërat arrijnë pikën e tyre maksimale”, shpjegon Zaja. Sipas saj, kjo periudhë lidhet me mbylljen e cikleve dhe një lloj zgjimi të brendshëm që i shtyn njerëzit të reflektojnë për atë që duhet të ndryshojnë.
Ngjarje të rralla si kjo, që ndodhin çdo 2–3 vite, shpesh lidhen me kthesa të forta në jetë. “Gjërat që i kemi shtyrë mund të dalin në sipërfaqe. Mund të përballemi me vendime të rëndësishme apo ndryshime të papritura”, thekson ajo.
Ky maj, me dy Hëna të plota, përkthehet simbolikisht në “dyfish energji” dhe “dyfish mundësi”. Një kohë për të lënë pas të vjetrën dhe për të bërë një hap përpara edhe nëse ky hap kërkon guxim.
Në fund, mes shkencës dhe besimit, mes kalendarit dhe ndjesive, një gjë mbetet e sigurt: për shumë njerëz, ky është muaji për të mos e injoruar atë që ndjejnë… sepse ndonjëherë, ndryshimet më të mëdha nisin pikërisht kur gjithçka arrin kulmin./abcnews.al


