Vënia e shumave të parave në dispozicion të gjykatës është e vetmja shpresë që i ka mbetur zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë, që janë të paraburgosur për vepra penale korrupsioni e për pastrim parash, për të fituar lirinë e shumëkërkuar pas muajve të tëra pas qelisë.
Për gati 1 vit e gjysmë ish presidenti i vendit Ilir Meta pretendonte se ai nuk gëzon asnjë pasuri, por për të dytën herë ai i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesë për tu liruar nga qelia në këmbim të garancisë pasurore me vlerë 50 mijë euro.
Radhën e parë më 24 mars, gjykata nuk e mori parasysh këtë kërkesë dhe e rrëzoi. E njëjta praktikë është ndjekur më herët edhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj si dhe nga ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, për të cilët GJKKO vendosi rrëzimin e kërkesës.
Ndryshe ndodhi me dhëndrin e Berishës Jamarbër Malltezi, i cili u lirua nga arresti shtëpiak në këmbim të 30 mijë eurove. Vendimi u dha nga trupa gjykuese e themelit, me kryesuese Elsa Ullirin.
Përvecc kërkesës për lirim nga qelia përmes shumave të parave, javët e fundit në Gjykatën e Posaccme janë shtuar kërkesat e të pandehurve edhe për të qëndruar në sallën e gjyqit dhe jo në kafazin prej qelqi sicc ka ndodhur deri më tani.
Kërkesë të tillë kanë patur kryebashkiaku Erion Veliaj, ish presidenti Ilir Meta si dhe ish ministri Ilir Beqaj.
Deri në këtë fazë, trupa e gjyqtarëve nuk është shprehur pro kërkesës së Metës dhe Veliajt, por dha dritë jeshile për Ilir Beqajn.
Në seancën e së martës në procesin Sterilizimi, GJKKO vendosi që duke nisur nga seanca e radhës Beqaj të qëndronte i ulur në sallë pranë avokatit të tij dhe jo më pas kafazit. Një nga argumentet ku u mbështet gjykata për këtë vendim, ishte fakti që ai nuk ka masë shtrënguese në këtë proces.
Por në seancën e kësaj të mërkurë, ku u zhvillua gjyqi për dosjen SASPAC, ku i pandehur është sërish Ilir Beqaj si ish drejtues i agjencisë për menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian, gjyqtarja Elsa Ulliri rrëzoi kërkesën e tij për të dalë nga kafazi me një vrimë.
Kështu brenda së njëjtës gjykatë, dhe me të njëjtin avokat mbrojtës, Ilir Beqaj një herë paraqet rrezik nëse qëndron në sallën e gjyqit, ndërsa një herë tjetër nuk cilësohet si i tillë duke marrë parasysh sjelljen e tij gjatë gjithë gjykimit.
Vendimi i së martës nga treshja penale e përbërë nga Rudina Palloj, Erjon Ccela dhe Irena Gjoka do të krijojë një precedent, teksa kërkesa të njëjta pritet të depozitohen edhe nga të pandehur të tjerë, që njësoj si ish zyrtari i lartë do të kërkojnë të trajtohen edhe ata me dinjitet sipas asaj që parashikon Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, apo KEDNJ.


