Sondazhi “Zëri i Shqiptarëve” në Abc News zbuloi tipologjinë e votuesit shqiptar sipas origjinës dhe arsimit.
Rezulton se PS dhe PD votohen brenda mesatares kombëtare të ndarjes së votuesve në bazë të arsimit. Gjithsesi, socialistët ruajnë një avantazh të lehtë mes votuesve me arsim të lartë, ndërsa Sali Berisha është i pari më i votuar ndër ata me arsimim më të ulët.
Po ashtu, PS mbështetjen më të madhe të votuesve e gjen në zonat urbane, 70%, aty ku PD votohet vetëm nga 28 për qind e qytetarëve.
Ndonëse PS votohet sërish më shumë edhe në fshat, këtu PD rrit mbështetjen dhe më të madhen e gjen në fshatra, me 40% të votave të fshatit.
Sa i përket çështjeve kryesore të aktualitetit të javës që lamë pas, shqiptarët bien në një mendje se vizita e Ramës në Athinë dhe takimi me Mitsotakis ishin ngjarje pozitive.
Sondazhi “Zëri i Shqiptarëve” në Abc News tregon se shumica e shqiptarëve, ndonëse mirëpritën takimin, janë ende dyshues ndaj të ardhmes mes dy vendeve.
53% e qytetarëve të anketuar thonë se problemet mes Shqipërisë e Greqisë mbeten. 23% të tjerë po ashtu janë pesimistë për problemet, por optimistë se Greqia nuk do e pengojë Shqipërinë në integrimin në BE. 23.5% janë optimistë për të dyja, si për zgjidhjen e plotë të problemeve të mbartura, edhe për mbështetjen që Greqia do t’i japë Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE. Çka tregon se duhet diçka më shumë se një takim i ngrohtë që shqiptarët të besojnë te një lajm i mirë që vjen nga Greqia.
Integrimi është kryefjala edhe në Tiranë, por 44% e shqiptarëve thonë të presin majin, pasi vendimet merren në Bruksel.
35.6%, kryesisht socialistë, janë të bindur se asgjë nuk e ndal anëtarësimin e Shqipërisë drejt BE. Mbi 44 për qind kanë ndjesi pozitive dhe janë në pritje të lajmit të mirë në 5 maj.
Vetëm një pakicë, 20%, mendojnë si Sali Berisha, se integrimi ka mbetur në vend.
Një javë me vizitën në Greqi dhe punët e Shqipërisë e rritën Ramën dhe PS me 0.5%, kurse një javë e Berishës pa protestë të dhunshme në bulevard e rriti me 0.4%.
Por rritja e PD nuk do të zgjasë shumë. Doktori ka protestë javën tjetër dhe shqiptarët po përgatiten sërish të ndërrojnë kanal në televizor më 8 maj./abcnews.al


