Çështja Beqaj rrezikon të kthehet në rastin më flagrant të shkeljes së të drejtave konventore, kushtetuese dhe procedurale të një procesi penal në Republikën e Shqipërisë. Kështu deklaruan avokatët mbrojtës të ish ministrit të shëndetësisë në një konferencë për shtyp, duke ngritur shqetësimin se procesi gjyqësor ka dalë sipas tyre nga shinat procedurale.
Ermal Yzeiraj dhe Florjan Bonjaku paralajmëruan se në seancën e radhës gjyqësore në Gjykatën e Posaccme ata do të kërkojnë pushimin e çështjes pasi vepra penale që është ngritur ndaj klientit të tyre nuk është formësuar nga prokuroria, por nga gjykata.
“Për këto arsye, në seancën e radhës gjyqësore të datës 28.04.2026, që do të zhvillohet para trupës së dytë gjyqësore të shqyrtimit të çështjes në themel, ne, si mbrojtje e Z. Ilir Beqaj, do të parashtrojmë kërkesën për pushimin e çështjes, duke argumentuar se, në rastin konkret, jemi përballë një situate ekstraprocedurale, ku akuza ndaj Z. Ilir Beqaj për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” nuk është formësuar nga Prokuroria, por nga Gjykata, ndërkohë që Gjykata nuk mund të shqyrtojë akuza të formësuara prej saj, pasi një situatë e tillë cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë parimin e paanshmërisë dhe strukturën akuzuese të procesit penal, aq më tepër kur vendimi që i materializon këto akuza është proceduralisht i paankimueshëm.”
Mbrojtja ligjore e ish ministrit u shpreh se në rast se GJKKO do të rrëzojë kërkesën për pushim, atëherë ata do ti kërkojnë togave të zeza kontroll incidental në Gjykatën Kushtetuese.
“Nëse më datë 28.04.2026 trupa e dytë gjyqësore e shqyrtimit të çështjes në themel do ta rrëzojë kërkesën tonë si mbrojtje për pushimin e çështjes, me arsyetimin se në Republikën e Shqipërisë lejohet që akuza të formësohet dhe të ngrihet edhe nga Gjyqtari i seancës paraprake në zbatim të nenit 332/d, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale, duke mbajtur në këtë mënyrë qëndrimin se, në rastin konkret, jemi para zbatimit korrekt të këtij neni, atëherë ne do t’i kërkojmë trupës gjyqësore kontroll incidental në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për shfuqizimin e nenit 332/d, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale.”
Në dhjetor të vitit 2024, Prokuroria e Posaccme pranoi kërkesën e GJKKO dhe i rikualifikoi akuzën Ilir Beqajt nga shpërdorim detyre në vjedhje duke shpërdoruar detyrën e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal’.
Ky i fundit ndërkohë mbahet në masën e sigurisë arrest në burg për një tjetër hetim, atë të abuzimit me fondet e SASPAC./abcnews.al


