Qeveria britanike ka bërë të ditur se do të ndalojë telefonat celularë në shkollat në të gjithë Anglinë përmes një ligji të ri. Siç raporton BBC, ministrja e Arsimit, Jacqui Smith, tha para Dhomës së Lordëve se qeveria do të paraqesë një amendament në projektligjin e rëndësishëm për Mirëqenien e Fëmijëve dhe Shkollat, duke krijuar “një detyrim të qartë ligjor për shkollat” mbi këtë çështje.
Departamenti për Arsimin tha se masa do t’i japë “fuqi ligjore asaj që shkollat tashmë po bëjnë në praktikë”. Gjithashtu edhe sekretarja e Arsimit, Bridget Phillipson, më herët këtë vit u ka dërguar një letër shkollave, duke i inkurajuar të ndjekin udhëzimet e reja dhe të jenë pa telefona gjatë gjithë ditës.
Sekretarja e Arsimit në hije, Laura Trott, tha se “për më shumë se një vit, laburistët e hodhën poshtë këtë si një truk të panevojshëm dhe vetëm javën e kaluar ministrja e arsimit pretendoi se problemi tashmë ishte zgjidhur”.
“Jam e kënaqur që më në fund kanë dëgjuar, ky është hapi i duhur për përmirësimin e sjelljes dhe rritjen e arritjeve në klasat tona”, tha ajo në rrjetin social amerikan X.
Disa shkolla tashmë kanë zgjedhur të përdorin dollapë ose qese me mbyllje magnetike për telefonat. Megjithëse detajet e amendamentit të qeverisë nuk janë publikuar ende, Liberal Demokratët thanë se ministrat duhet të sigurojnë që të gjitha shkollat të kenë mbështetjen dhe financimin e nevojshëm për këtë tranzicion.
Ndërkohë, Departamenti për Arsim tha se ka qenë “vazhdimisht e qartë se telefonat celularë nuk kanë vend në shkolla” dhe se shumica e shkollave tashmë i ndalojnë ato.
Një zëdhënës i departamentit tha se amendamenti “ndërton mbi hapat që kemi ndërmarrë tashmë për të forcuar zbatimin”.
“Ne gjithmonë do të vendosim interesin e fëmijëve në radhë të parë, përfshirë përmes këtij projektligji. i cili njihet gjerësisht si akti më i madh i legjislacionit për mbrojtjen e fëmijëve në dekada”, u citua zëdhënësi nga BBC.


