TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi se sektori i bujqësisë vazhdon të përballet me vështirësi në sigurimin e financimit nga bankat, për shkak të perceptimit që konsiderohet si një fushë me risk të lartë.
Për të adresuar këtë problem dhe për të rritur mbështetjen financiare, Rama bëri të ditur se qeveria po krijon Bankën Shqiptare të Zhvillimit.
Ai theksoi se institucioni është në fazë përgatitore, ka siguruar ambientet dhe po ndërton stafin e tij, ndërsa pritet që së shpejti të bëhet plotësisht operative.
Sipas kryeministrit, kjo bankë do të krijojë mundësi të reja për financimin e iniciativave të reja, me fokus te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Bankat kanë një rezervë më të mëdha ndaj bujqësisë dh se ndaj sektorëve të tjerë, sepse e konsiderojnë një sektor me risk të lartë. Për të pasur më shumë kontroll, ne po krijojmë dhe Bankën Shqiptare të Zhvillimit, e cila po zhvillon stafin e vet.
Ka marrë edhe zyrat dhe së shpejti do jetë operacionale. Do na japë mundësinë që të mbështesim shumë iniciativa.”, tha ai./abcnews.al


