Gazetari Egon Loli komentoi për War Report situatën e konflikteve në Lindjen e Mesme, duke thënë se fatin e armëpushimit e vendos Irani. Loli shtoi më tej se SHBA duhet të përmbajë Izraelin ndërsa Irani duhet të përmbajë Hezbollahun. Sipas tij, situata në Iran është më komplekse.
“Po të marrim qëndrimin e të dyja palëve, asgjësojnë njëra-tjetrën; Izraeli ka shpallur hapur pretendimet territoriale, Hezbollah e dimë çfarë qëndrimi ka. Pavarësisht se Hezbollah financiohet nga Irani, ata janë libanezë dhe kanë ideologjinë e Iranit. Situata në Liban është më komplekse.
Mendoj se do të varet nga marrëveshja e SHBA-së me Iranin; fatin e armëpushimit e vendos Irani. Fuqinë e goditjes së Izraelit mund ta përmbajë vetëm SHBA. SHBA duhet të përmbajë Izraelin dhe Irani Hezbollahun.”
Gjeneral Dede Prenga tha se situata mbetet e ndërlikuar dhe e paparashikueshme, duke theksuar se armëpushimet historikisht kanë pasur jetë të shkurtër dhe shpesh janë shkelur. Ai shtoi se roli i SHBA-së është vendimtar në frenimin e Izraelit.
“Situata atje ka qenë, është dhe do të mbetet e komplikuar. Është e vështirë dhe asnjë dorë nuk mund të thotë me saktësi që do vendoset armëpushimi. Përgjithësisht armëpushimet janë shkelur duke pasur pak jetëgjatësi. SHBA do vendosë mbi vendimet e Izraelit; nëse ata e kanë seriozisht pas gati 50 ditësh, do ta realizojnë.
Sa do të zgjasë armëpushimi dhe a do të ketë nënshkrim marrëveshjeje, kjo do mbetet për t’u parë. Njerëzit duhet të mbajnë përgjegjësi në veprimet që bëjnë dhe të vendosin veten në palën e partnerit në bisedim. Ka vend për të jetuar të gjithë në të njëjtin territor.” / abcnews.al /


