Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

Loading ... Loading ...
 

Elbasani ëndërron titullin/ Verdheblutë mundën Partizanin 3-0 në duelin e Superiores

schedule12:46 - 14 Prill, 2026

schedule 12:46 - 14 Prill, 2026

Futbolli qenka vërtet i çuditshëm. Mund t’ia dalësh me fat, por kur fitorja është 3-0 ndërsa ke qenë në prag të humbjes, atëherë e kupton se përse kjo lojë është kaq popullore dhe e paparashikueshme.

I ndodhi Elbasanit, që u vu në vështirësi të madhe nga Partizani, edhe pse luante në Arenën e tij, por që përfundimisht arriti një triumf të vërtetë që e afron me titullin. Të kuqtë patën epërsi të madhe, dhe kjo ishte normale pasi vendasit mbetën me 10 lojtarë që në 21’, pasi Musta e pengoi si lojtar i fundit dhe mori të kuq pas shqyrtimit të rastit me VAR.

Gjithsesi, edhe pse në inferioritet për mbi 70 minuta, elbasanasit ia dolën. Portieri vendas, Totoshi, u bë hero me disa pritje radhazi, por ndryshimi nisi që në fillim të pjesës së dytë.



Të besuarit e trajnerit Ivan Gvozdenovic fituan të drejtën e penalltisë, e cila një herë u prit nga Qirko sepse një lojtar kryeqytetas hyri në zonë pa u gjuajtur ende topi.

Ze Gomesh nuk gaboi në goditjen e dytë, dhe aty Elbasani nisi fluturimin, edhe pse vetëm pasi Partizani goditi traun e portës.

Me dy kundërsulme të shpejta në minutat 89 e 90+3, ishin Cague dhe Kasa që vulosën shifrat 3-0.

Me këtë fitore, dy herë kampionët e vendit ngjiten të dytët në renditjen e Superligës me 56 pikë, vetëm tri pikë pas Vllaznisë që kryeson.

Në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, ndërkaq, Bylisi e Dinamo u ndanë në barazim 1-1, rezultat që duket se I bëri më shumë punë miqve.

Mallakastriotët kaluan të parët në epërsi që në 9’ kur shënoi Kamara.

Më pas, të dy ekipet patën raste, ndërsa pati emocione më të forta pas pushimit.

Në 54’, Përndreca I Bylisit u përjashtua pas dy të verdhave, por epërsia numerike e kryeqytetasve nuk vazhdoi gjatë.

Në 68’, karton të kuq direkt mori lojtari I bluve, Gudiabi.

Në barazpeshë me nga 10 lojtarë në fushë, Dinamo barazoi kur mbetën edhe 8 minuta deri në fund.

Autori ishte sërish I huaj, Teisheira, dhe “nëndetësja” mbërriti Partizanin në renditje me nga 44 pikë secili, por ekipi I trajnerit Ilir Daja është në katërshen e plej ofit falë ndeshjeve direkte dhe golaverazhit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!