Sot shënohet Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, një ditë e dedikuar për të kujtuar vuajtjet dhe traumat e atyre që kanë përjetuar këtë formë të rëndë dhune gjatë konfliktit.
Kjo ditë ka për qëllim të njohë padrejtësinë e përjetuar nga të mbijetuarit, të adresojë pasojat e thella psikologjike dhe sociale, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën e drejtësisë dhe luftën kundër stigmës që ata vazhdojnë të përballen.
Me këtë rast, këtë të martë, më 14 prill, ushtruesja e detyrës së presidentes e Kosovës dhe njëkohësisht kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bën homazhe te Memoriali “Heroinat”.
Ndërkohë, QKRMT organizon Konferencën Rajonale me temën “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: Përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim”, ku marrin pjesë Albulena Haxhiu dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Po ashtu, në kuadër të kësaj dite, Kuvendi i Kosovës organizon në orën 17:00 një seancë solemne me moton “Ma kthe dritën”.
Ndryshe, 14 prilli është shpallur zyrtarisht si Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, një vendim që synon të ruajë kujtesën kolektive dhe të nxisë solidaritetin me të mbijetuarit.


