Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se SHBA-të mund të “kalojnë në Kubë”, pasi fillimisht të “merren me” Iranin, duke përshkallëzuar retorikën ndaj ishullit të Karaibeve.
Gjatë një konference për gazetarët, Trump pretendoi se qytetarët amerikanë me origjinë kubane po “keqtrajtohen” nga autoritetet kubane, ndërsa shtoi se disa prej të afërmve të tyre janë vrarë ose dhunuar, por pa dhënë detaje konkrete mbi këto akuza.
Ai e cilësoi gjithashtu Kubën si një “shtet të dështuar”, duke fajësuar për këtë mënyrën e qeverisjes ndër vite nga regjimi revolucionar i udhëhequr nga Fidel Castro.
Nga ana tjetër, presidenti i Kubës Miguel Díaz-Canel reagoi duke paralajmëruar Uashingtonin që të mos e përshkallëzojë situatën në një konflikt ushtarak. Ai theksoi se Kuba nuk dëshiron luftë, por paralajmëroi se nëse përballet me një përshkallëzim, vendi do të përgjigjet.
Deklaratat e fundit të Trump vijnë në një klimë të tensionuar marrëdhëniesh mes dy vendeve, ndërsa administrata amerikane ka vendosur masa të ashpra, përfshirë edhe një embargo ndaj naftës kubane.
/abcnews.al/


