TIRANË- Bizneset dhe qytetarët po preferojnë të marrin kredi në monedhën kombëtare. Sipas Bankës së Shqipërisë rritja vjetore e saj shënoi 16.7% në tremujorin e katërt të vitit 2025 dhe mbi 15% në muajin janar 2026.
Ulja e normës së interesit në segmentin e kredisë në lekë, orientimi i politikave të bankave për përputhjen e monedhës së kreditimit me atë të të ardhurave të kredimarrësit, si edhe një ndërgjegjësim i publikut për rrezikun e kursit të këmbimit, po mbështesin zhvendosjen e strukturës së portofolit të kredisë drejt lekut gjatë viteve të fundit.
Kështu, prej më shumë se tre vjetësh, kredia në lekë po rrit peshën e saj në financimin e sektorit privat, duke përbërë 58.2% të portofolit total.
Zgjerimi i kredisë është mbështetur nga kërkesa e lartë për financim, e nxitur nga rritja e aktivitetit ekonomik në vend, kushtet e favorshme financiare dhe ecuria pozitive e besimit në ekonomi. Paralelisht me to, bankat kanë lehtësuar standardet e kreditimit për bizneset dhe janë treguar më tolerante në marrjen përsipër të rrezikut, të përkrahura edhe nga rënia e raportit të kredive me probleme ndaj totalit.
Rritja e kredisë për biznese u luhat në intervalin 11.3%-11.6% gjatë periudhës tetor 2025 -janar 2026, e mbështetur nga kërkesa e lartë e bizneseve dhe kushtet e favorshme të financimit.
Kredia për investime shfaqi norma më të larta të rritjes, rreth nivelit 14.6% në muajin janar ndërkohë, kredia për likuiditet u ngadalësua në 6.1%, rreth 3 pikë përqindje më pak se rritja e shënuar në tremujorin paraardhës. Kjo ecuri ka reflektuar likuiditetin e shtuar të bizneseve, i cili solli dhe shlyerje më të larta të kredisë për kapital qarkullues.
Në segmentin e individëve, kreditimi vijoi me norma të larta, ndonëse pas muajit tetor ato po ndjekin një tendencë ngadalësuese përgjithësisht nga kredia për blerje banese, e cila është dhe nënkategoria kryesore e këtij segmenti, me rreth 66% të portofolit./abcnews.al


