Çdo ndeshje për ta është si një finale, por duket se po mbahen mirë. Tirana, e rrezikuar për të dytin sezon radhazi për të rënë nga Superliga, arriti një fitore të rëndësishme, e cila ishte e domosdoshme, duke mundur 3-1 Egnatian e duke pasur më shumë shpresë për mbijetesën.
Në stadiumin “Selman Stërmasi”, rekordmenët e titujve treguan se dinë të fitojnë ndaj kampionëve, edhe pse polemikat nga miqtë nuk munguan.
Sfida pati protagonist edhe VAR-in, që ndërhyri në momente vendimtare. Kështu ndodhi në golin e parë të bardhebluve, shënuar nga Tabeki, që fillimisht u anulua për pozicion jashtë loje.
Teknologjia e ktheu vendimin e ndihmësit të arbitrit.
Pas pushimit, Egnatia reagoi dhe barazoi në 58’ kur realizoi Buriç, por të besuarit e trajnerit Orges Shehi reaguan shumë shpejt. Pa kaluar 5’ Xhixha realizoi saktë penalltinë e fituar nga Haxhiu për avantazhin 2-1.
Tiranasit nuk e ulën ritmin dhe për pak minuta, në 69’ shënuan edhe të tretin. Polemikat, siç e thamë, nuk munguan dhe kampionët nga Rrogozhina kërkuan të paktën një penallti, në 52’ kur rezultati ishte 1-0, veçse as gjyqtari Doda dhe as VAR-i nuk i konsideruan pretendimet e tyre.
Kjo ishte fitorja e tretë e bardhebluve në 4 ndeshjet e fundit në Superligë. Tirana ka tani shanse shumë më të mëdha për të mbajtur statusin në elitë, pasi ka 31 pikë, po aq sa Vora që mban vendin e shtatë dhe që të jep qetësinë.
Bylis për momentin ka një pikë më pak, 30, por do të luajë këtë të hënë ndaj Dinamos në Ballsh. Sa për Egnatian, ajo mbeti në 54 pikë, dhe humbi terren në garën e tre vendeve të para, me Vllazninë dhe Elbasanin për sa më shumë pikë në fazën e rregullt, që të kenë favor të plej of./abcnews.al


