Nën ndërmjetësimin pakistanez po zhvillohet një përpjekje e fundit për të parandaluar një përshkallëzim të luftës SHBA- Iran. Perspektiva është e zymtë: Trump-i vazhdon të kërcënojë, regjimi iranian mbetet i palëkundur.
Vetëm pesë javë pas fillimit të luftës së Iranit , ka një përpjekje të re për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm: siç u raportua fillimisht nga faqja e internetit amerikane e lajmeve Axios, duke cituar burime të njohura me çështjen, një projekt armëpushimi, i përgatitur nën drejtimin e Pakistanit , po shqyrtohet aktualisht.
Burime brenda shërbimeve të fshehta pakistaneze kanë treguar se plani u është paraqitur SHBA dhe Iranit. Sipas raportimeve, plani përfshin dy faza: faza e parë do të përfshinte një armëpushim të menjëhershëm 45-ditor, duke përfshirë hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Faza e dytë do të përfshinte më pas një marrëveshje përfundimtare që do ta detyronte Iranin, ndër të tjera, të hiqte dorë nga zhvillimi i armëve bërthamore; në këmbim, do t’i ofrohej një lehtësim i sanksioneve dhe lirimi i aseteve të ngrira.
Irani e refuzon kompromisin
Irani e konfirmoi marrjen e planit dhe, sipas Ministrisë së Jashtme, ka hartuar tashmë përgjigjet ndaj propozimeve. Megjithatë, regjimi duket i palëkundur: “Irani nuk ngurron të shprehë qartë ato që i konsideron kërkesat e tij legjitime, dhe kjo nuk duhet interpretuar si një shenjë kompromisi, por më tepër si një shprehje e besimit të tij në mbrojtjen e pozicioneve të tij”, deklaroi Ismail Baghai në një konferencë për shtyp. Ai i quajti kërkesat e SHBA “të tepruara dhe të papranueshme”. Negociatat janë të papajtueshme me ultimatumet dhe kërcënimet.
Agjencia e lajmeve Reuters citoi një përfaqësues iranian sipas të cilit, për shembull, hapja e Ngushticës së Hormuzit për një armëpushim të përkohshëm ishte e panegociueshme. Për më tepër, Teherani e kishte bërë të qartë se do të negociohej vetëm për një fund përfundimtar të luftës.
Më vonë atë mbrëmje, Mehdi Tabatabaei, kreu i komunikimit për zyrën e presidentit iranian, kishte shkruar në lidhje me Ngushticën e Hormuzit se ajo do të rihapej vetëm “kur, sipas një rendi të ri ligjor, dëmet e luftës së imponuar të kompensohen plotësisht me një pjesë të tarifave të tranzitit”.
Trumpi shtyn përsëri ultimatumin
Më parë, Presidenti i SHBA Donald Trump kishte kërcënuar se do të niste sulme në shkallë të gjerë nëse tranziti përmes Ngushticës së Hormuzit nuk do të rifillonte. “Nëse nuk bëjnë asgjë deri të martën në mbrëmje, nuk do të mbetet asnjë termocentral apo asnjë urë e vetme në këmbë”, tha Presidenti për Wall Street Journal. Me këtë, ai shtyu për herë të tretë afatin që ai vetë kishte vendosur për ultimatumin.
“Hapeni Ngushticën e mallkuar (të Hormuzit), ju kopilë të çmendur, ose do të përfundoni në ferr”, shkroi Trumpi me fjalë të ashpra në platformën e tij, Truth Social.
Përfaqësuesit e autoriteteve pakistaneze deklaruan, në lidhje me projektin e fundit të një marrëveshjeje armëpushimi, se ky ishte raundi i fundit i përpjekjeve para bombardimeve potencialisht edhe më të rënda të SHBA-së kundër Iranit. Megjithatë, ata i konsideruan perspektivat për sukses të pakta .
Costa paralajmëron kundër sulmeve ndaj objektivave civilë
Presidenti i Këshillit të BE, António Costa, paralajmëroi kundër një përshkallëzimi të situatës. Kjo nuk do të çojë në një armëpushim apo paqe, shkroi Costa në platformën X. “Vetëm negociatat, në veçanti përpjekjet e vazhdueshme të partnerëve rajonalë, mund ta arrijnë këtë.”
Costa i dënoi kërcënimet e Trump-it për të sulmuar objektivat civilë. “Çdo sulm ndaj infrastrukturës civile, veçanërisht objekteve energjetike, është i paligjshëm dhe i papranueshëm,” deklaroi Costa. “Kjo vlen për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe vlen kudo.”
Popullata civile e Iranit jeton me frikë
Sipas korrespondentes së ARD-së, Katharina Willinger, shumë civilë në Iran kanë frikë për atë që mund të ndodhë në orët në vijim. “Njerëzit me të cilët kemi folur janë shumë të frikësuar,” tha korrespondentja e ARD për programin e lajmeve. “Ata besojnë se ky mund të jetë përshkallëzimi maksimal për ta si civilë.” Sulmet e kërcënuara nga Trumpi, për shembull kundër termocentraleve, do të thoshin se furnizimi me energji elektrike në një qytet si Teherani mund të paralizohet plotësisht. “Kjo ka një ndikim të madh në jetën e përditshme të njerëzve, të cilët kanë jetuar prej vitesh në një vend me një ekonomi shumë të dobët.”/DW/


