Leku vijon të fitojë pikë ndaj euros por edhe valutave të tjera. Aktualisht një euro po këmbehet sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë me 95 lekë një prej niveleve më të ulëta të regjistruara më parë. edhe në tregjet ndërkombëtare euro ka pësuar dobësim përballë dollarit amerikan. Ky i fundit është mbiçmuar ndjeshëm qe pas përshkallëzimit te konfliktit SHBA Izrael kundër Iranit. Tensioni në Lindjen e mesme ka bërë që një pjesë e investitorëve të të orientohen drejt titujve të borxhit dhe instrumenteve financiare në dollarë.
Ndërkohë që në muajt në vijim agjentët e kursit të këmbimit presin një dobësim të mëtejshëm të monedhës europiane përballë lekut për shkak të ardhjes së turistëve të huaj çka do të shtojë më tëj sasinë e eurove në qarkullim. Ndërkohë në një analizë të Bankës së Shqipërisë theksohet se në 4 vitet e fundit leku shqiptar është mbivlerësuar me 21% ndaj euros më e theksuar kjo gjatë viteve 2023-2024.
Ndërkohë, ritmi i forcimit ra në 2.8% gjatë vitit 2025, falë dhe rritjes së pranisë së Bankës së Shqipërisë në tregun valutor gjatë dy viteve të fundit. Natyrisht, ky forcim i shpejtë i kursit ka sjellë diskutime të shumta mbi arsyet, pasojat dhe reagimin e Bankës së Shqipërisë ndaj tij.
Sipas Bankës së Shqipërisë arsyet e forcimit të kursit të këmbimit të Lekut janë diktuar – në masën më të madhe – nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve ekonomike, tregtare e financiare me jashtë, si dhe nga reduktimi i primeve të rrezikut në tregun e brendshëm financiar. Këto përmirësime kanë sjellë një rritje të ofertës së valutës në tregun e brendshëm valutor dhe – në prani të një regjimi të lirë të kursit të këmbimit – janë pasqyruar në forcimin e kursit të këmbimit të Lekut.
Por forcimi i kursit gjatë kësaj periudhe evitoi nevojën për rritje të fortë të normës bazë të interesit dhe bëri të mundur që inflacioni në vend të shënonte norma më të ulëta se në ekonomitë e rajonit dhe të Eurozonës, dhe të kthehej më shpejt e me kosto më të ulët në objektiv. Ndërkohë që tashmë pritet që të reflektohen të njëjtat problematika që lidhen me rritjen e inflacionit për shkak të konfliktit në Lindjen e mesme.


