Brenda muajit prill, tuneli i Llogarasë do të nisë zyrtarisht të tarifohet.
Punimet për vendosjen e sistemit të pagesës kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa këtë të hënë janë zhvilluar testet e fundit për funksionimin e plotë të pajisjeve.
Kamerat e sigurisë, sistemet elektronike të kontrollit dhe infrastruktura mbështetëse po verifikohen të gjitha për të garantuar një proces të rregullt dhe efikas në momentin e nisjes së tarifimit.
Aplikimi I tarifave pritet të nisë brenda muajit prill, duke I dhënë fund periudhës së kalimit pa pagesë.
Çmimet do të jenë të diferencuara, sipas kategorisë së mjeteve, duke filluar nga 250 lekë për makinat, 500 lekë për mjetet me karroceri e deri në 1 mijë lekë për furgonët e autobusët.
Deri tani tuneli i Llogarasë është aksesuar nga qytetarët dhe shoferët pa pagesë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë lehtësi apo karta të posaçme për banorët rezidentë.
Tuneli I Llogarasë është një prej veprave infrastrukturore më të rëndësishme në vend. Me një gjatësi prej 6 km, tuneli shkurton distancën nga Dukati në Palasë në vetëm 7 minuta, duke afruar kështu rivierën me pjesën tjetër të vendit.
Kjo vepër infrastrukturore ka rritur edhe sigurinë rrugore.


