Në “Kamp Nou” kishte ardhur viktima e preferuar. Kemi një Barcelonë për djem që kryeson La Ligën, por kemi edhe një për femra, që jo vetëm dominon kampionatin spanjoll, por edhe është kthyer në superfuqi në Champions.
Dueli ndaj Realit, El Klasiko e radhës, u luajt pikërisht për Ligën e Kampionëve, dhe ishte sfida e kthimit e çerekfinaleve.
Vajzat katalanase nuk diskutuan asgjë me fitoren 6-0 dhe mbeten në rrugën e duhur për të fituar çdo gjë këtë sezon.
Në prani të mbi 60 000 spektatorëve në stadiumin mitik që nuk është hapur plotësisht, Barça ia doli në derbi me golat e shënuar nga Aleksia Putejas, dy herë Karolinë Graham Hansen, Irenë Paredes, Eva Pahor dhe Esmi Brugts.
Gjithçka përfundoi në vetëm 34 minuta kur rezultati arriti në 4-0.
Për fatin e tifozëve “blaugranë”, në këtë gjini nuk ka aspak rivalitet dhe Reali mund të ketë fituar thjesht ndonjë ndeshje të vetmuar.
Barça e trajnerit Romeu arriti pa probleme në gjysmëfinale të Championsit ku do të ketë duelin ndaj Bajernit në 25 prill në Mynih dhe në 2 maj në “Kamp Nou”.
Femrat “blaugrana”, ndërkaq thuajse e kanë futur në xhep titullin në La Liga, pasi kryesojnë kampionatin me 69 pikë ndaj 56 të Realit.
Kur duhen edhe 6 javë deri në fund, gjithçka ka marrë fund dhe katalanaset kanë shënuar 106 gola e kanë pësuar vetëm 6.


