TIRANË– Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një takim me studentët ku theksoi përfitimet konkrete që do të sillte anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian për të rinjtë shqiptarë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te pabarazitë aktuale që hasin studentët shqiptarë në universitetet europiane, duke theksuar se ata paguajnë tarifa më të larta dhe trajtohen si studentë të huaj, pavarësisht aftësive të tyre. Sipas tij, kjo situatë do të ndryshojë rrënjësisht me integrimin në BE.
Ai nënvizoi se me anëtarësimin, studentët shqiptarë do të kenë të njëjtat kushte si bashkëmoshatarët e tyre europianë, si në Tiranë, ashtu edhe në qytete si Lisbona apo Varshava. Rama shtoi se ata nuk do të paguajnë më tarifa më të larta dhe do të kenë akses të barabartë në shërbime arsimore.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që përmendi kryeministri ishte tregu i punës. Sipas tij, të rinjtë shqiptarë do të mund të kërkojnë dhe të zgjedhin punë në çdo vend të Europës, pa u përballur me pengesa apo trajtim si të huaj.
Në përfundim, Rama e cilësoi procesin e integrimit si një ndryshim thelbësor për pozicionin e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një hap formal, por për një transformim me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të të rinjve
“Nuk keni të njëjtat kushte si të studentëve europianë dhe pavarësisht se mund të jeni shumë të zotë, nëse regjistroheni në shkollë, paguani shumë më tepër sesa studentët europianë sepse jeni të huaj. Me anëtarësimin në BE, kjo ndryshon krejtësisht. Ju jeni vendas si këtu në Tiranë, si në një auditor në Lisbonë apo Varshavë, si në një universitet në një nga qytetet e Shqipërisë apo në cilindo nga qytetet e Europës.
Nuk paguani më shumë, nuk keni asnjë vështirësi më shumë për të pasur akses në shërbime dhe nuk jeni të huaj kur vjen fjala për tregun e punës dhe mund ta zgjidhni punën jo më thjesht brenda kufijve të Tiranës, Shqipërisë apo të një qyteti që mund të njihni dikë, por mund të kërkoni punë në çdo qytet të Europës.
Askush nuk ju sheh dhe t’ju thotë nga je ti se këtu është BE. Kjo është një përpjekje që ka kuptim dhe impakt të drejtpërdrejtë për gjithsecilin prej jush. Nuk bëhet fjalë për një kapërcim formal, por për një ndryshim thelbësor të pozicionit dhe raporteve mes vendit e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë europianë”, tha Rama./abcnews.al


