E thotë edhe vetë se nuk është e lehtë ta luash këtë sfidë.
Trajneri I kombëtares shqiptare, Silvinjo, doli në konferencën për shtyp për miqësoren e kësaj të marte ndaj Ukrainës në Valencia, ende nën ndikimin e humbjes me Poloninë në plej ofin e Kupës së Botës.
Tekniku brazilian nuk deshi të bënte një analizë të gjatë të eliminatoreve, ndonëse vlerësoi atë që bëri ekipi gjatë të gjitha ndeshjeve.
“Është shumë e vështirë të flasësh për të kaluarën kur kemi ndeshje të rëndësishme nesër, por ne duhet ta luajmë këtë. Ka qenë e vështirë, por kemi dhënë më të mirën. Kemi luajtur në plej ofin e Kupës së Botës, për herë të parë në historinë tonë. Një ndeshje shumë e mirë. Nuk kam asnjë vërejtje për lojtarët, ata dhanë maksimumin. I falenderoj për gjithçka që bënë. Tani ne kemi një ndeshje tjetër. Na dhemb humbja, por duhet ta luajmë siç duhet ndeshjen ndaj një kundërshtari që është po aq I motivuar sa ne. Duhet ta luajmë sa më mirë dhe për ta fituar”.
Silvinjo u pyet nëse do të bëjë ndryshime të shumta në formacion në krahasim me ndeshjen me Poloninë.
“Është shumë e vështirë të përgatitesh për këtë ndeshje pas asaj që ndodhi me Poloninë. Na u desh të përqëndroheshim 100 për qind për këtë ndeshje tepër të rëndësishme. Kanë kaluar vetëm 3 ditë për të luajtur një miqësore. Unë nuk besoj se ka ndeshje miqësore, dhe duhet të japim 100 për qind për 90 minuta si gjithmonë. Ka lojtarë që më thonë se dëshirojnë të luajnë 45 minuta apo 90 minuta. Nuk besoj se mund të bëhen 6, 7 apo 8 ndryshime. E shoh si mundësi për t’u dhënë mundësi lojtarëve, por duhet të luajmë një ndeshje të vërtetë, jo vetëm për të bërë eksperimente. Ne duhet ta organizojmë ekipin si gjithmonë dhe mund të bëjmë edhe 3-4 ndryshime”.
Çfarë Ukraine pret trajneri kuqezi në fushën e lojës, dhe çfarë ndeshje mendon ai që do të zhvillohet?
“Ne presim një ndeshje të vështirë, të ashpër. Të dy ekipet kanë lojtarë shumë të mirë. Nuk e di se me çfarë lojtarësh do të luajë Ukrainë. Po ashtu, edhe unë nuk e di se cilët se cilët lojtarë do të aktivizoj. Do ta vendosim në drekë para ndeshjes. Ukraina ka lojtarë shumë të mirë, ka qenë në finale të mëdha, me lojtarë shumë të mirë. Ne po rritemi në çdo ndeshje. Ne po ashtu kemi mjaft lojtarë të mirë. Për ne është shumë e rëndësishme të dalim në fushë dhe të japim maksimumin. Dua që lojtarët të japin maksimumin për fanelën dhe kombëtaren. Nuk e di sesi do të jetë ndeshja, por pres që të luhet futboll shumë I mirë nga të dyja skuadrat dhe unë besoj se lojtarët tanë do të japin më të mirën”.
Shqipëria ka bilanc tepër negativ ndaj Ukrainës, me vetëm një fitore, një barazim dhe gjashtë humbje.
Përballjet e fundit ishin në kuadër të Ligës së Kombeve në vjeshtë të vitit 2024, me fitoren 2-1 të kuqezinjve në fushën asnjanëse të Budapestit, dhe me humbjen po 1-2 në “Arenën Air Albania”./abcnews.al


