Një nga rrugët kryesore të kalimit në kryeqytetin e Kosovës, është ndarë përgjysmë. Si në filma, asfaltin e ka përpirë toka si, teksa aty është hapur një gropë e madhe që ka vënë në rrezik edhe pallatin shumëkatësh të banimit fare pranë.
Ngjarja mund të kishte shkaktuar pasoja fatale, deri në jetë të humbura, por fatmirësisht në momentin e incidentit rruga ishte bosh.
Sipas drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica, shkaku i shembjes së rrugës nuk dihet ende, por një nga dyshimet paraprake është rrjedhja e ujit.
“Ka pasur rrjedhje të ujit, por nuk është parë sepse ka qenë nën rrugë, por ekipet e Ujësjellësit dhe të gjitha të tjerat janë në vend të ngjarjes. Është ndalur rryma dhe do të ndalet edhe uji…”, u shpreh drejtori për siguri dhe emergjenca në komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me ekipet e Kryeqytetit dhe Policinë dolën në terren duke monitoruar nga afër situatën e krijuar pas rrëshqitjes së dheut.
Ai ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë menjëherë procedurat hetimore për zbardhjen e rastit, duke ofruar bashkëpunim të plotë institucional.
Ai gjithashtu njoftoi se ka kërkuar nga Drejtoria e Inspektimit pezullimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorëve të përfshirë, si dhe ndalimin e çdo angazhimi të tyre në këtë rast deri në përfundim të hetimeve.
Pas incidentit nisën punimet për mbushjen e gropës në mes të Prishtinës, por sipas banorëve pavarësisht ndërhyrjes, rruga vazhdon të ketë lëvizje dhe ekziston rrezik për shembje të mëtejshme.


