TIRANË- Në podkastin e tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama njoftoi se ekonomia e Shqipërisë vazhdon të ruajë trendin e saj pozitiv.
Rama theksoi gjithashtu se ekonomia po diversifikohet, duke u bërë më e hapur për investime në drejtime të ndryshme dhe duke ofruar mundësi të shumta për sipërmarrësit vendas dhe të huaj, jo vetëm në disa sektorë të veçantë, por në thuajse çdo fushë të mundshme.
“Pikërisht me shënimin e mëparshëm lidhet shënimi tjetër për ekonominë, e cila vijon të rritet dhe ruan trendin e vet pozitiv.
Shifrat e publikuara të rritjes ekonomike për tremujorin e fundit të vitit 2025 japin një pasqyrë të qartë të ecurisë së qëndrueshme ekonomike të vendit dhe përcaktojnë qartësisht se edhe në tremujorin e katërt, rritja shkoi në afro 4%, një tregues që konfirmon vazhdimësinë e një ritmi të qëndrueshëm zhvillimi gjatë gjithë vitit të shkuar dhe viteve të mëparshme.
Dhe ajo që ka rëndësi të theksohet është se ekonomia vazhdon të diversifikohet dhe çka është e rëndësishme në këtë pikë është se Shqipëria nuk është më një ofertë ekonomike për të gjithë ata që duan të krijojnë sipërmarrje, që duan të rrisin ekonominë e tyre, që duan të investojnë duke ardhur nga jashtë, thjesht dhe vetëm në një apo dy drejtime, por në thuajse çdo drejtim”, tha ai./abcnews.al


