Në një moment kur kryeministri Rama kërkon referendum për reformën politike me qytetarët, ndërsa 1 vit ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme lokale, socialistët nisin një fushatë paraelektorale, në formën e një turi komunikimi me qytetarët në gjithë Shqipërinë.
Ministra e deputetë do të zbresin në terren sipas porosive të fundit të kryeministrit Rama, për tu takuar e komunikuar me qytetarët nga afër, me fokus kryesor integrimin në Bashkimin Europian, por dhe për të dëgjuar problematikat e qytetarëve ndërsa ministrat e deputetët sipas qarqeve do të flasin për sfidat dhe objektivat për të përmbushur objektivin madhor të qeverisë, anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda 2030.
Për këtë arsye, ministrja e re për parlamentin, Eriona Ismaili prezantoi përpara grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar strategjinë e komunikimit me qytetarët, që do u shërbejë 83 deputetëve socialistë dhe ministrave për qasjen e re në terren.
Në mbledhjen e përbashkët në Pallatin e Brigadave nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, pati dy raportime të veçanta.
Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli u thirr për të raportuar mbi punët dhe problematikat e deritanishme të këtij institucioni, nga ana tjetër, deputetët socialistë i përcollën shqetësimet e qytetarëve.
Ky institucion ka patur focus të veçantë të kryeministrit Rama. Më herët ai ka paralajmëruar ndryshime të forta, siç ishte zhvendosja e kadastrës së Vlorës drejt Tiranës.
Po ashtu, në mbledhje raportoi edhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku. Mësohet të jenë diskutuar disa variante për hartën e re territoriale që do të propozojnë socialistët, në një moment kur afatet janë të limituara dhe komisioni i posaçëm parlamentar do të duhet të dale me një draft brenda korrikut të këtij viti.
Ky tur takimesh të kërkuara nga Rama do të zgjasë deri më 12 qershor, në ditëlindjen e 35-të e Partisë Socialiste dhe paralelisht zgjedhjet brenda kësaj partie në pozicionet drejtuese të strukturave.


