Sulm kibernetik postës shqiptare/ Ministri Demo: Shërbimi vijon normalisht, AKSHI po analizon situatën
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo konfirmoi sulmin kibernetik ndaj Postës Shqiptare të ndodhur pasditen e të mërkurës, ndërsa theksoi se shërbimi në këtë institucion vijon normalisht.
Në deklaratën për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Demo cilësoi se nuk ka ende të dhëna nëse ka informacione të inkriptuara.
Ministri shtoi se pritet një analizë e detajuar nga AKSHI dhe ekspertë të postës, teksa theksoi se Shqipëria ka bërë progres të madh në sigurinë kibernetike.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor u ndal gjithashtu te rritja e çmimeve dhe ndikimi në tregun tonë, duke theksuar se bordi i transparencës do të mblidhet më vonë gjatë ditës së enjte, ku do të dalë me një vendimmarrje.
“Është duke u zhvilluar analizë nga AKSHI dhe ekspertët e Postës Shqiptare. Të gjitha shërbimet vazhdojnë normalisht. Nuk ka të dhënë që ka informacione të enkriptuara që janë të paaksesushme nga posta. Duhet të presim raportin e institucioneve. Autoriteti i luftës kibernetike i ka kapacitetet dhe i rrit garancitë dita ditës sa i përket integritetit. Jo të gjithë institucionet janë të përfshirë në ombrellën e kësaj mbrojtjeje. Do presim raportin përfundimtar të institucioneve, për atë që ka ndodhur në Postën Shqiptare. Shqipëria ka bërë progresin më të madh në vitet e fundit”, theksoi ai.
Mbledhja e qeverisë vjen pas një sërë takimesh që kryeministri Rama ka mbajtur këto ditë me ministritë dhe dikasteret përkatëse.
/abcnews.al


