Në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përpjekjet për të dalë nga gjendja e mbylljes së administratës publike. Gjatë pasditës së sotme do të ketë një përpjekje për të shmangur përkohësisht këtë fenomen.
Nuk është arritur asgjë në mbledhjet mes demokratëve dhe republikanëve, ndërsa SHBA gjendet në ditën e tretë të fenomenit që njihet si “shutdoun”, ose ndryshe mbyllja e shërbimeve të qeverisë federale për shkak të dështimit në miratimin e buxhetit. Senati Amerikan do të votojë në mesditë me orën e Uashingtonit, 6 e pasdites me orën tonë, në përpjekjen për të hequr mbylljen e administratës federale që nisi mesnatën e së shtunës.
Një votim proçedurial do të zhvillohet gjatë ditës. Lideri i minorancës demokrate në Senat, Çak Shumer, njoftoi se pavarësisht mbledhjeve që zgjatën gjithë ditën të dielën, nuk u arrit një marrëveshje që do të revokonte fenomenin “shutdoun” me nisjen e javës së punës.
Mediat amerikane shkruajnë se gjatë pasditës do të votohet për një pezullim të përkohshëm, mundësisht të përcaktojë rihapjen e qeverisë deri me 8 shkurt. Por për këtë lideri I maxhorancës republikane në Senat, Mitç MekKonell duhet të impenjohet dhe të vendosë në votim nyjen e emigracionit përpara kësaj date.
Pasoja e parë e prekshme është mbyllja e zyrave federale dhe veçanërisht parqeve, muzeve dhe monumenteve që janë nën administrimin federal. Për shembull rasti i Statujës së Lirisë. Mbyllja e së cilës në 2013 shkaktoi konfuzion tek turistët. Këtë herë ka ndërhyrë qyteti i Nju Jorkut, duke financuar me fondet e veta hapjen e monumentit historic pavarësisht gjendjes “shotdoun”.
Kjo është nmjë goditje e rëndë për presidentin Donald Trump, pasi vjen pikërisht një vit pas vendosjes në drejtim të Shtëpisë së Bardhë. Kjo është një rrethanë që ka ndodhur për herë të fundit në 2013 me Barak Obamën si president, por është hera e parë që ndodh me një parti, e cila kontrollon të dy degët e Kongresit./abcnews.al