Viron Bezhani vijon me akuza të tjera. Dopioshkarkimet në KOKSH, në fillim ai i 6 anëtarëve të komitetit ekzekutiv ndaj Bezhanit dhe më pas shkarkimi i gjithë komitetit nga presidenti i shkarkuar, ka krijuar një kaos të madh, ndërkohë që po afrojnë Lojërat Olimpike.
Organi më i lartë botëror i olimpizmit, CEO nuk i njeh shkarkimet dhe ka kërkuar mbajtjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme. Diçka e tillë cilësohet si ndërhyrje në punët e brendshme të KOKSH nga Bezhani, i cili vijon me akuza në emisionin “Pressing” në ABC News.
“E cilësoj si ndërhyrje në punët tona të brendshme. Kemi gjithçka të zgjidhur nëpërmjet statusit. Ata janë qesharakë në të gjitha drejtimet. Nuk mund të rregullosh një institucion me anti-ligj. Do çoj dy shkresa të tjera në Lozanë dhe CAS-in e Lozanës. Kanë bërë një gabim mjaft të rëndë.
Në asnjë presje, në asnjë pikë nuk i kam lëvizur statusit dhe ligjit. Kam qenë dhe vazhdoj të jem korrekt me ndërkombëtarët. Vajta në takim dhe kërkova që të marr zyrën dhe të kem dokumentet, sepse lekët e sportistëve dhe të fondit olimpik, po përdoren për gjëra të tjera. Më thanë që do e bëjmë, do i japim urdhër Bellos që të zbatojë ligjet në fuqi. Jo që nuk e zbatuan, por sot nuk kam marrë asnjë dokument financiar.
Merrni shihni, viti 2017 nuk është analizuar fare. Në 2018 janë çereku i çerekut që kërkoj. Merrni shihni një aktivitet. 61 milionë kanë qenë në fillim, në shkresën që kam kërkuar unë del 17 milionë. Sa i përket tatimit të sportistëve, jam korrekt.
Kam bërë verifikim nga Tatimet. Më del që nuk e kanë bërë diçka të tillë, por në tabelën që më ka dhënë KOKSH bashkohen dy sportistë, sepse nuk ju del leku. Zëri i sportistëve është zero“, thekson Bezhani. /abcnews.al