Pas tërmetit shkatërrimtar që la pas dëme të shumta në banesa dhe 51 viktima situata mbetet ende kaotike. Shumë janë banorët që ankohen se u janë dëmtuar banesat dhe disa prej tyre ende flenë në çadra.
Por ditën e sotme një tjetër fenomen i çuditshëm është mësuar nga mediat.
Në rrugën Henriko Telini raporton emisioni Stop në Tv Klan, në godinën e ish-kombinatit Tekstil të quajtur Kadife, banorët janë shprehur se kjo godinë është vlerësuar si e pabanueshme dhe i është vendosur shiriti edhe pse ajo nuk ka as dëmtimin më të vogël.
Banorët shprehen se banojnë aty prej shumë vitesh dhe kanë edhe certifikata pronësie. Ata thonë se kanë shkuar në Njësinë Bashkiake, ku u kanë thënë se shiriti nuk është vendosur nga ata. Po ashtu kanë shkuar edhe në Inxhinierinë e ndërtimit dhe aty u është thënë e njëta gjë.
Tek Enti Kombëtar i Banesave u thuhet të mos dalin nga shtëpitë. Tek Instituti i Ndërtimit gjithashtu ngrenë supet.
“Unë jam Vebie Berisha, banoj në objektin e Kadifes. I kam bërë dokumentet, të gjitha, me certifikatë pronësie, iu kam paguar dhe e kam emrin në Hipotekë dhe tek Enti Kombëtar i Banesave. Këtu kam 20 vjet që jetoj, me mundime. Në kohën që më vdiq burri dhe më vranë djalin, më ka vendosur Këshilli i Ministrave. Më dha katin e parë. Kam qenë e sëmurë, se jam me probleme, kur marr vesh nga njerëzit e shtëpisë që kishin ardhur dhe më kishin vënë shiritin tek shtëpia. Nga tërmeti unë nuk kam asnjë gërvishtje, asnjë cënim në shtëpi. Shtëpinë e kam shumë të rregullt. Këtu jemi 60 familje. 4 familje kanë patur dëmtime, ata janë vajtur kanë marrë bonus dhe i kanë thënë që të dalin me qira. Kur erdhi policia këtu dhe vendosi shiritin, më dhanë urdhër të prerë: nesër në orën 10:00 do nxirrni rrobat jashtë. Unë i thashë policisë nuk dal jashtë, sepse jam me dokumente të rregullta, paguaj çdo muaj sipas rregullit. Unë këtë shtëpi e kam blerë me gjak. Edi Rama dhe Erion Veliaj të strehojnë ata njerëz që janë me çadra, jo ne që jemi të pa cënuar nga tërmeti “, tregon një prej banoreve.
Në këto kushte i jemi drejtuar Njësisë Bashkiake Numër 6 dhe administratori Adriatik Mero shprehet se i takon Institutit të Ndërtimit vlerësimi për godinën.
Biseda mes gazetares dhe Administratorit:
Gazetarja: Ju si njësi keni shkuar atje?
Administratori: Për çfarë?
Gazetarja: Për inspektim nga tërmeti.
Administratori: Po patjetër, që kemi shkuar.
Gazetarja: Si ka dalë godina?
Administratori: Po nuk shprehemi ne.
Gazetarja: Ju keni parë dëme aty?
Administratori: Kemi parë mo, si s’kemi parë?!
Urbanistika: Çfarë dëmesh kanë qenë? Në 60 personat e tjerë, përveç 4 familjeve?
Administratori: Të lutem! A po më pyet atje, ku kam qenë unë? Do të ta tregoj si është?
Gazetarja: A ke qenë në të gjithë godinën?
Administratori: Godinën shkon Instituti i Ndërtimit, për të vlerësuar qëndrueshmërinë, nuk vete unë.
Gazetarja: Ka ardhur Instituti i Ndërtimit dhe çfarë ju është lajmëruar ju nga Instituti i Ndërtimit?
Administratori: Po presim gazetarisht, besoj sot në orën 2 na vjen dhe me shkrim dhe merret Instituti i Ndërtimit dhe Emergjencat Civile me përgjigjen, që vjen.
Gazetarja: Si mund t’i vendoset shiriti pa dalë vlerësimi i godinës?
Administratori: Ore, vlerësimi i godinës ka dalë.