Ardian Haçka, drejtor i Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, tha per ‘Sheshi i Dollarit’ se Korridori 8 ka bërë progres në kuadrin rregullator dhe mbetet një projekt strategjik për lidhjen rajonale dhe integrimin europian.
Ai cilesoi nevojën që Shqipëria dhe aleatët të lobojnë për rikthimin e Korridorit VIII në listën e projekteve prioritare të BE-së, duke e konsideruar atë thelbësor për energjinë, infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik.
“Korridori VIII ka avancuar në kuadrin rregullator; ky korridor është pjesë e korridorit të rrjetit europian. Procesi po ecën shumë mirë si nga ana hekurudhore dhe strukturore; në forum u theksua se punimet që po kryhen të realizohen në sinergji me vendet e tjera për maturim dhe financime.
Në BE po përgatitet rregullorja e re për financimin e projekteve në energji dhe infrastrukturë. Korridori VIII nuk është më në listën e projekteve prioritare. Qeveria shqiptare me aleatët kanë detyrë që të lobojnë që Korridori VIII të jetë në listën e vendeve me prioritet.
Struktura e BE-së dhe kuadri rregullator e lejon që nëpërmjet amendamenteve dhe punës që është bërë t’i bindim që pika nga Durrësi deri në Shkup duhet të bëhet si pjesë e një interesi të përbashkët; rregullorja duhet të jetë gati në qershor të 2026.
Korridori VIII është korridor energjetik dhe jo vetëm rrugor; është korridor për rrjetet e furnizimit të ndërmarrjeve, linjën hekurudhore, linjën digjitale dhe lidh vendet. Korridori VIII nis në Bari dhe Brindisi; në Shqipëri është bërë një punë shumë e madhe për projektet ndërkufitare dhe janë rreth 24 projekte me vlerë rreth 27 milionë euro që janë zhvilluar përgjatë Korridorit VIII në Shqipëri, duke ndihmuar zhvillimin lokal.” / abcnews.al /


