Dy persona të maskuar i vunë eksploziv makinës në pronësi të agjentit të krimeve në Lezhë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të dielës në lagjen “Besëlidhja”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht pa persona të lënduar.
Pamjet e kamerave të sigurisë në zonë kanë regjistruar disa lëvizje të dy autorëve gjatë vendosjes së lëndës, por maskimi i tyre e ka bërë identifikimin e pamundur. Autorët dyshohet se kanë qarkulluar me motor dhe se tritoli është aktivizuar nga një distancë e afërt.
Hetuesit po analizojnë imazhet e kamerave për të rindërtuar itinerarin e autorëve para dhe pas shpërthimit, ndërsa kanë fokusuar hetimet tek pista që lidhet me detyrën e efektivit Gentjan Gjetja.
Vetë Gjetja ka deklaruar para grupit hetimor se nuk ka konflikte personale, duke konfirmuar se motivi i sulmit mund të lidhet me aktivitetin e tij në sektorin e krimeve.
Hetimet vijojnë intensivisht për të identifikuar dhe kapur autorët. / abcnews.al /


