I ftuar në emisionin Sheshi i Dollarit në ABC News, eksperti i ekonomisë Ergis Sefa paralajmëroi se vendi mund të përballet me rritje të çmimeve dhe nevoja më të mëdha financiare për qeverinë nëse tensionet apo konfliktet zgjasin në kohë, nga tensionet në Lindjen e Mesme.
Sipas tij, Shqipëria ka marrë angazhimin që të rrisë shpenzimet për sigurinë kombëtare deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një nivel që përkthehet në rreth 1 miliard euro. Në këtë kuadër, 3.5% e PBB-së do të shkojë për ushtrinë, ndërsa 1.5% për infrastrukturën e brendshme të sigurisë.
Sefa theksoi se kjo situatë do të shtojë presionin mbi buxhetin e shtetit, sidomos nëse krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe energjisë, duke detyruar qeverinë të gjejë burime të reja financimi në një kohë kur vendi po përballet edhe me kosto shtesë nga dëmet e përmbytjeve dhe problemet infrastrukturore në aksin Librazhd-Prrenjas të Korridorit VIII.
“Ka presion më të shtuar për rritjen e çmimeve. Presioni për shpenzimet buxhetore do të jetë i madh. Pak a shumë faturën e mbrojtjes ne e dimë. Kemi marrë vetë angazhimin dhe detyrimin që të shkojmë deri në 5% të prodhimit të brendshëm bruto në shpenzime që lidhen me sigurinë kombëtare, 3.5% për ushtrinë dhe 1.5% për infrastrukturën e brendshme. Nuk është pak me 1 miliard euro për Shqipërinë.
Presioni do të jetë më i madh për qeverinë, kur nëse lufta zgjat një muaj, do të shikojmë rritjen e çmimeve të shportës bazë dhe të produkteve energjetike bazë. Aty qeveria do të jetë e detyruar që të shpenzojë, pyetja është se ku do i gjejë. Të ardhurat me dy forma ose do marrim borxh, ose do rriten taksat. Tani duke qenë se nuk duam të bëjmë asnjërën nga këto, duhet të marr nga diku tjetër dhe ta çojmë këtu.
Pyetja është se ku do marrim?! Shqipëria ka edhe fatin e keq, sepse Shqipëria pati edhe dy goditje të mëdha që janë kosto për buxhetin e shtetit, përmbytjet dhe shembjen e aksit Librazhd-Prrenjas, pjesë e Korridorit VIII, ku kalon një pjesë e mirë e tregtisë të mos themi e gjitha tregtia që kalon në Maqedoni”, tha Sefa.


