Kryeministri Albin Kurti, pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, e cila u mbajt për nder të Epopesë së UÇK-së, për gazetarët ka thënë se pasdite do t’i vazhdojnë përpjekjet për ta zgjedhur presidentin.
“Pasdite do t’i vazhdojmë përpjekjet që ta zgjedhim presidentin. Urojmë e besojmë e shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë për të përmbushur kërkesën kushtetuese”, u shpreh Kurti.
Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Deri më tani është propozuar vetëm një kandidat për këtë post – deputeti Glauk Konjufca.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur një ditë më parë se kandidatura e Konjufcës është dorëzuar me 30 nënshkrime deputetësh nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga grupi multietnik.


