Ish-drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli thotë se për shkak të ndryshimeve demografike në vend, duhet të ketë metoda të reja lidhur me skemën e pensioneve.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Dhuli u shpreh se se duhen metoda për t’i përshtatur situatës.
Ndërsa eksperti i ekonomisë, Ardian Civici deklaroi se duhet të ketë fond sovran, kur përfituesit kryesorë të jenë pensionistët.
Elsa Dhuli: INSTAT bën shifra, nuk bën sugjerime. Por, duke ofruar shifrat, jep sinjalin që në këtë situatë, çfarë duhet bërë. Po të shikojmë pemën, grupmosha 60, 65, 70 vjeç është piramida më e zgjeruar, por duhet të sjellin në vëmendjen edhe periudhën kur lindjet arritën pikun, në vitet 1960-1965, është kjo grupmoshë që i përket tani, që është grupmoshë pensioni. Duke ofruar shifrat, ofrojmë informacionin që kjo është situata. Po afrojmë shifra cilësore për të marrë disa vendime, bazuar në fakte. Reforma e pensioneve është në proces diskutimi. Duhen gjetur metodat më të mira për të diskutuar. Ka modele që mund të jenë pensione vullnetare, me kontribut personal, mund të jetë sugjerim për zgjidhje, apo reformat të cilat duhen diskutuar. Sot për sot, reforma e pensioneve apo kontributet e pensioneve në Shqipëri, konsiderohet nga metodat më të mira, sepse është gjenerative, kontributive si pjesë e reformës. Në situatën që jemi, në kushtet e ndryshimeve demografike e patjetër që studimet duhet të sjellin metoda të reja, që duhet të përshtaten kësaj situate.
Ardian Civici: Po të shikosh çfarë kanë bërë vende të ndryshme, që janë përballur me situata të tilla demografike, dhe për të zgjidhur çështjen e pensioneve, kanë krijuar fonde sovrane, përfitimin kryesorë e kanë pensionistët, ndihma sociale. Dikush ka marrë rentën minerare, rentën e naftës, dikush ka krijuar fonde sociale, si fonde sovrane.


