Nuk ishte dita e tij. Natyrisht, gjithkujt i takon të luajë një ndeshje të dobët, por kryesorja për Berat Gjimshitin ishte që shpëtoi nga një dëmtim që do të kishte pasur pasoja ndërsa afron ndeshja e 26 marsit e kombëtares në Botëror.
Që në minutën e 16-të të ndeshjes në Sasuolo, mbrojtësi i Atalantës pësoi një ndërhyrje të tmerrshme nga futbollisti vendas, Pinamonti, i cili u ndëshkua direkt me karton të kuq.
Vendim krejtësisht i drejtë i arbitrit, ndërsa kapiteni kuqezi për fat nuk pati asnjë pasojë nga goditja në kavilje. Vitet e fundit, ai ka vuajtur shumë nga lëndimet, duke humbur shumë ndeshje në Itali dhe Europë për Atalantën, si dhe për Shqipërinë.
Gjithsesi, Gjimshiti nuk luajti mirë, e ndoshta edhe nuk u ndje siç duhet fizikisht pas ndërhyrjes horror që pësoi. Ishte i ngadalshëm, sidomos në golin e parë të Sasuolos, dhe për këtë mori një vlerësim të dobët.
“Skaj Sport” i dha notën e ulët 5.5, ndonëse ishte në shoqëri të lojtarëve të tjerë si Kolashinac, Belanova, De Ron apo Pashaliç. Për Sasuolon shkëlqeu fort portieri I Kosovës, Arijanet Muriç, që mori notën 7.5 nga “La Gazeta delo Sport”, dhe ishte më i miri në fushë bashkë me mesfushorin Kone.
Gardiani i “dardanëve” bëri pritje shpëtuese duke ndihmuar ekipin të fitonte 2-1 dhe të mbante vendin e 8-të në renditjen e Serisë A./abcnews.al


