TIRANË- Kryeministri i Shqipëria, Edi Rama, ka reaguar pasi Partia Demokratike hodhi molotovë në rezidencën e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha, në zonën e ish-Bllokut.
Ai e përshkroi sulmin si një “akt të verbër dhe të paguar”, që kishte si qëllim të frikësonte qytetin dhe të njolloste Shqipërinë.
Më tej, Rama kritikoi ashpër gjyqësorin për lirimin e personave të arrestuar për këto akte vandalizmi, duke i cilësuar gjykatësit si bashkëpërgjegjës për ngjarjet.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria nuk mund të lejojë plane dhune dhe veprime kriminale brenda territorit të saj dhe u bëri thirrje autoriteteve të sigurojnë drejtësi dhe mbrojtje për komunitetin artistik dhe qytetarët.
“Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.
Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!
Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale!
Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj”, shkruan Rama./abcnews.al


