Bill Gates pranoi para fondacionit të tij bamirës lidhjet me pedofilin Jeffrey Epstein dhe pohoi se ka pasur lidhje me dy gra ruse.
Lidhjet e tij teksa ishte ende i martuar me Melinda Gates, u mësuan pas publikimit të miliona dokumenteve në lidhje me Epstein, por miliarderi theksoi se nuk ka bërë asgjë të paligjshme.
Megjithatë Gates e pranoi se u takua me Epstein në vitin 2011, tre vite pasi ish financieri ishte dënuar tashmë për vepra penale me të mitur.
Megjithatë, 70-vjeçari u shfajësua duke thënë se nuk e kishte kontrolluar siç duhet të shkuarën e Epstein, me të cilin siç rezultoi edhe nga dokumentet e publikuara, kishte një marrëdhënie të afërt.
Bashkëthemeluesi i Microsoft, 70 vjeç, nuk është akuzuar për shkelje nga asnjë prej viktimave të Epstein edhe pse emri i tij përmendet shumë herë në dosje e madje shfaqet edhe në imazhe me gra të ndryshme.
Sipas mediave ndërkombëtare, Gates tha se fotot e tij me gra, fytyrat e të cilave janë të redaktuara, të përfshira në të ashtuquajturat dosjet e Epstein, ishin fotografi që financieri i ndjerë i kërkoi t’i merrte pas takimeve të tyre.
Raportet e Gates me Epstein vazhduan të paktën deri në vitin 2014 dhe miliarderi pranoi se kaloi kohë me pedofilin jashtë vendit, por mohoi të ketë vizituar ishullin famëkeq Little Saint James.
Madje marrëdhënia e Gates me Epstein vazhdoi edhe pasi ish-gruaja e tij shprehu dyshime dhe ishte skeptike në lidhje me ish financierin.
Melinda Gates e ka thënë publikisht se njerëzit e përfshirë në çështjen Epstein duhet të mbajnë përgjegjësi, përfshirë ish bashkëshortin e saj Bill Gates, me të cilin u nda në vitin 2021.


