TIRANË– Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar një takim me dy bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin.
Në takim, diplomati ka kërkuar zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Sipas tij, zbatimi i tyre, është thelbësore për të garantuar besimin e publikut dhe për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve.
“Proceset zgjedhore të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, mbeten një prioritet kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Dje u takova me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, për të diskutuar punën e komisionit në javët në vijim.
Nënvizova rëndësinë e reformës zgjedhore për të rritur transparencën në financimin e partive politike, për të garantuar pavarësinë e administratës zgjedhore dhe për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore.
Një reformë e gjerë e rregullave zgjedhore, që përfshin edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, është thelbësore për të garantuar besimin e publikut dhe për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve të ardhshme”, shkruan Gonzato/abcnews.al


