Qeveria australiane u ka sugjeruar familjarëve të diplomatëve australianë në Izrael dhe Liban të largohen nga dy vendet e Lindjes së Mesme, duke përmendur një situatë të përkeqësuar të sigurisë në rajon, ka njoftuar të mërkurën ministria e Jashtme australiane.
Qeveria gjithashtu u ka ofruar largime vullnetare personave në varësi të diplomatëve australianë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordani dhe Katar.
Presidenti i SHBA, Donald Trump, gjatë fjalimit të tij për Gjendjen e Kombit, paralajmëroi për një sulm të mundshëm ndaj Iranit, duke thënë se nuk do të lejonte që sponsori më i madh i terrorizmit në botë të ketë armë bërthamore.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara rifilluan negociatat në fillim të këtij muaji, ndërsa Uashingtoni ka shtuar prezencën e tij ushtarake në Lindjen e Mesme. Irani ka kërcënuar të godasë bazat amerikane në rajon nëse sulmohet, por diplomati më i lartë i Teheranit ka thënë të martën se një marrëveshje me SHBA-në është “e arritshme” nëse i jepet përparësi diplomacisë.
Qeveria australiane vazhdon t’i këshillojë qytetarët në Izrael dhe Liban të marrin në konsideratë largimin ndërsa opsionet janë ende në dispozicion, thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme./abcnews.al


