Nuk është çmim zyrtar, por vlerësimi mbetet i madh. Ernest Muçi është shpallur Lojtari më i mirë i muajit janar nga televizioni turk HR Spor, si një njohje e paraqitjeve të tij të shkëlqyera që në nisje të këtij viti, në vazhdën e nivelit tepër të lartë që filloi në nëntor 2025.
Gjatë janarit, ylli kuqezi shënoi një gol në Superligën e Turqisë, në fitoren 2-1 që Trabzonspori arriti në fushën e Koxhaelisporit, si dhe shkëlqeu në Kupë, me dy gola dhe një asist në suksesin 6-1 në sfidën në stadiumin e Istanbulsporit.
Televizioni HR Spor I kushtoi një reportazh karrierës së Muçit, që kur ishte tek Tirana, pastaj tek Legia e Varshavës në Poloni, tek Beshiktash në Turqi, tani në Trabzonspor, si dhe si pjesë e Shqipërisë U21 me trajner Alban Bushin.
Forma e tij vazhdoi edhe në shkurt, kur ai shkëlqeu në dy ndeshje radhazi, me gol dhe assist kundër Samsunsporit në fitoren 3-0, si dhe me rrjetën e shënuar kundër Fenerbahçes, ndonëse derbi në shtëpi ndaj gjigandit të Stambollit u humb me shifrat 3-2.
Ernest Muçi është në nivele tepër të larta në futbollin turk që nga fundi I nëntorit, me 10 gola e 3 asistë në vetëm 10 ndeshje të kampionatit, me 13 rrjeta e 5 asistë gjithsej në sezon, duke thyer rekordin e karrierës, ndërsa është shpallur lojtar I muajit edhe nga vetë Superliga turke.


