Historitë e futbollistëve janë nga më të ndryshmet, ndërsa ajo e Alex Sandros është realisht e veçantë. Brazilianit të Juventusit nuk i kishte shkuar kurrë mendja të aktivizohej si mbrojtës krahu. Për fatin e tij, një trajner nuhati diçka dhe insistoi që ai të niste të aktivizohej në këtë rol.
Parashikimi i doli dhe sot lojtari është një ndër mbrojtësit e majtë më të mirë në botë, luan me një klub të madh dhe numëron 21 ndeshje të zhvilluara (dhe 1 gol të shënuar) me Brazilin e tij të dashur.
“Nisa të luaj futboll si sulmues. Më pas u aktivizova në rolin e trekuartistit, atë të ‘mezzala’ dhe mbrojtësit të krahut. Nuk e harroj kur një trajner u drejtua nga unë dhe më tha: ‘Tani po luan si trekuartist, por nëse vendos të luash mbrojtës krahu do të bëhesh titullar i kombëtares braziliane‘.
Nuk kisha luajtur kurrë më parë në atë pozicion. Kampionati i parë si mbrojtës krahu ishte katastrofë, por trajneri vazhdonte të insistonte dhe të më jepte besim. Në fund ia dola të mësoj një rol totalisht të ri për mua“, përfundon Alex Sandro prononcimin për JTV. /abcnews.al