Me nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, Myftiu i Vlorë Ardit Hoxhllaku ka përcjellë një mesazh urimi dhe reflektimi për të gjithë besimtarët vlonjatë dhe shqiptarë.
Hoxhllaku ka theksuar rëndësinë e këtij muaji të bekuar, duke e cilësuar atë si një periudhë të lehtësimit shpirtëror, begatisë dhe afrimit me Zotin. Sipas tij, Ramazani është muaji i solidaritetit me njëri-tjetrin, i sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj atyre që kanë më shumë nevojë.
Ai ka ftuar besimtarët që ta shfrytëzojnë këtë muaj për reflektim, përmirësim personal dhe forcim të lidhjeve familjare e shoqërore.
Myftiu ka konfirmuar gjithashtu se gjatë këtij muaji, Xhamia e Plumbit do të qëndrojë e hapur për besimtarët për faljet e mbrëmjes. Megjithatë, ai ka theksuar se rikonstruksioni i saj është tashmë një domosdoshmëri.
Xhamia vijon të qëndrojë e mbyllur pas përmbytjeve të tetorit 2024, çka ka krijuar vështirësi për zhvillimin normal të aktiviteteve fetare , ndërsa do te hapet vetëm gjate muajit te ramazanit
Ndërkohë, një mesazh për muajin e Ramazanit ka përcjellë edhe imami i xhamisë, Hajredin Dizdari, i cili ka uruar besimtarët për një agjërim të pranuar, paqe, shëndet dhe harmoni në familjet e tyre.
Besimtarët myslimanë nisin kështu muajin e madhërishëm të Ramazanit prej datës 19 shkurt, duke hyrë në një periudhë të rëndësishme adhurimi, reflektimi dhe përkushtimi shpirtëror.


