Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe proceset gjyqësore që lidhen me Kosovën, duke theksuar rëndësinë e unitetit institucional dhe kujdesit në raport me partnerët ndërkombëtarë.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Abazi u shpreh se rrugëtimi i Kosovës në ndërtimin e shtetit ka qenë i gjatë dhe i ndërlikuar, duke përfshirë luftën, shpalljen e pavarësisë dhe konsolidimin e drejtësisë. Sipas tij, pavarësia e Kosovës ka ardhur si rezultat i një kompromisi mes faktorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm.
Ai theksoi se është e vështirë të parashikohet vendimi për ish-krerët e UÇK, që pritet të merret nga gjykata në muajin maj, por shprehu shpresën që personat e përfshirë të rikthehen në Kosovë, duke i cilësuar ata si faktorë të rëndësishëm në procesin e pavarësisë.
Abazi nënvizoi se, pavarësisht çdo vendimi që mund të merret, është thelbësore që institucionet dhe spektri politik të jenë të unifikuar dhe të ndjekin një qasje të matur institucionale. Ai apeloi për ruajtjen me kujdes të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe vendet partnere, në një kohë kur, sipas tij, presioni publik është jashtëzakonisht i madh dhe vendi po përballet me një proces kompleks.
“Këtu ku kemi arritur në bërjen e shtetit, të luftës, kemi arritur në bërjen e pavarësisë dhe të drejtësisë. Pavarësia e Kosovës erdhi si kompromis i faktorit të brendshëm dhe të jashtëm. Është shumë e vështirë të jepet një vendim se çfarë gjykata do të vendosë në muajin maj. Shpresoj që ata të kthehen në Kosovë.
Ata kanë qenë faktorë shumë të rëndësishëm në Pavarësinë e Kosovës. E rëndësishme është që të jemi të unifikuar ndaj çdo lloj vendimi. Duhet të kemi qasjen institucionale, e cila duhet të ruajë me shumë kujdes marrëdhënien me BE dhe vendet e tjera. Presioni publik është jashtëzakonisht i madh. Institucionet duhet të jenë të kujdesshme. Po ballafaqohemi me një proces kompleks”, tha Abazi.


